Kualifikohen Maroku e Kroacia, Belgjika kthehet në shtëpi
Kanë përfunduar dy ndeshjet tejet interesante të Grupit F, ku tanimë kemi mësuar dy kombëtaret të cilat kanë siguruar kualifikimin në fazën eliminatore të Kampionatit Botëror.
Pas plot 90’ minutave lojë dhe katër shtesë të zhvilluara në stadiumin “Al Thumama”, Kombëtarja e Marokut ka siguruar kualifikimin tutje duke e mposhtur Kanadanë me rezultat të ngushtë 2:1.
Fillimisht, rezultatin i pari e zhbllokoi Hakim Ziyech, i cili kaloi Marokun në epërsi prej 1:0 në minutën e 4’ të ndeshjes, kurse epërsinë në 2:0 e thelloi Youssef En Nesyri në minutën e 23’.
Kanada arriti të rikthehet në lojë duke e ngushtuar epërsinë e Marokut në 2:1 përmes autogolit të mbrojtësit Naif Aguerd në minutën e 40’, gol ky i cili rezultoi të jetë i fundit i ndeshjes së sotme.
Ndërkaq, krahas këtij takimi u zhvillua edhe ndeshja tejet interesante mes Kroacisë e Kombëtares së Belgjikës.
90’ minuta lojë dhe katër sosh shtesë të zhvilluara në stadiumin “Ahmad bin Ali” nuk mjaftuan që të shënohet një gol nga këto dy kombëtare, ku rezultati final i ndeshjes është i barabartë 0:0.
Me këtë barazim, Belgjika eliminohet nga Botërori “Katar 2022”, ndërsa Kroacia vazhdon në fazën eliminatore.
Grupin F e kryeson Maroku me shtatë pikë të arkëtuara, dy sosh më shumë se Kroacia në vendin e dytë, kurse në dy vendet e fundit pozicionohen Belgjika me katër pikë dhe Kanada me asnjë pikë të arkëtuar.
Rezultatet finale:
Kanada 1:2 Maroku
Kroacia 0:0 Belgjika.