Kujdes po xhirohet! Policia me kamera kundër grisjes së dënimeve për shkeljet në trafik

 

Policia është e vendosur që të përballet me shoferët që nuk i respektojnë rregullat e trafikut, duke paralajmëruar kontrolle dhe dënime. Ky vendim vjen pasi që edhe përkundër masave dhe aktiviteteve të ndërmarra deri më tani, shoferët edhe më tej janë të padisiplinuar dhe nuk i respektojnë rregullat e trafikut. Ministri për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Oliver Spasovski tha se së shpejti do të ndërmerren masa për përmirësimin e sigurisë në trafik, ndërsa do të prezantohet edhe plani për kontrolle të përforcuara.

“Zgjidhja e fundit është të instalojmë teknologji bashkëkohore, të instalojmë kamera që në mënyrë praktike do të jenë ata që do të identifikojnë parregullsi në trafik, të kemi një sistem të mbyllur që nuk do të ndikohet nga faktorin njeri. Për shkak se aty ku nuk ka ndikim faktori njeri, kemi rezultate më të mira, nuk kemi selektivitet, kemi transparencë të mirë”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Nga MPB paralajmëruan se ashpër do të sanksionohen shkeljet në trafik që janë arsye për fatkeqësi trafiku me pasoja të rënda.

“Policia e trafikut në Shkup dhe në Tetovë tashmë do të fillojë me përdorimin e body camera-ve nga çdo nëpunës policor dhe në atë mënyrë kemi një qasje më të ndryshme edhe nga qytetarët edhe nga policët. Pilot projekt të tillë kemi në policinë në autostrada. Atje tashmë nuk kemi asnjë ankesë nga qytetarët, e as nga policët për shkak se me anë të kamerave, përmes incizimeve të asaj që ndodh gjatë kohës së kontrollit, kemi kontroll të plotë të gjendjeve dhe kjo është e mirë edhe për nëpunësit policor edhe për qytetarët”, tha Ministri i Punëve të Brendshme.

Përveç se në rrugë të hapur, tashmë polici do të ketë edhe nëpër vendbanime. Si pasojë e mosdisiplinës dhe papërgjegjësisë në trafik, në 6 muajt e parë të vitit 2020 jetën e kanë humbur 43 persona dhe rreth 2.500 persona janë lënduar, ndërsa vitin e kaluar si pasojë e papërgjegjësisë në trafik, jetën e kanë humbur 132 persona, ndërsa 5.164 janë lënduar, raporton TV21./21Media

Back to top button