Kujtohen të vrarët në masakrën e Celinës, kritika për drejtësinë ndërkombëtare

Data 25 mars shënon përvjetorin e një tjetër masakre të ndodhur në komunën e Rahovecit. Në këtë datë në vitin 1999, forcat serbe masakruan 82 shqiptarë, 75 prej të cilëve ishin nga Celina dhe 7 të tjerë nga vendbanimet e tjera. Viktimat ishin të moshave të ndryshme.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, në fjalën e tij tha se duhet hetim dhe drejtësi për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë.

Ai pati kritika për drejtësinë ndërkombëtare duke thënë se e ka vënë fokusin mbi viktimën.

“Hetimi dhe gjykimi i krimeve i shërben historisë dhe njerëzimit në përgjithësi mirëpo fatkeqësisht e ashtuquajtura drejtësi ndërkombëtare fokusin e ka vënë mbi viktimën. Edhe sot e djemtë e burrat e Kosovës ndiqen e përndiqen për shkak se kishin aspiruar lirinë dhe kishin qenë gati të flijohen për të. Ky është mesazhi më i keq që i dërgohet popujve të shtypur, popujve liridashës e popujve që luftojnë e sakrifikojnë për lirinë e tyre”, deklaroi Latifi.

Latifi tha se i gjithë angazhimi duhet të orientohet drejt realizimit të amanetit të të gjithë dëshmorëve dhe martirëve për një Kosovë më të zhvilluar.

“Amaneti i të rënëve rëndon si gur mbi ne sepse ndërtimi i lirisë dhe lumturisë së brezave është në duart tona. Çdo angazhim duhet të orientohet në përmbushje të këtij amaneti sepse vetëm kështu do të mund të themi se e kemi kryer një pjesë të obligimit tonë moral e atdhetar. Na mbetet edhe shumë për të bërë por nuk ka pengesë që nuk mund të kapërcehet nëse energjitë, mendjen dhe vullnetin tonë objektiv kanë për qëllim zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë”, vijoi Latifi.

Në ceremoni mori pjesë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, i cili tha se brezat e rinj do të vijojnë rrugën dhe do të ruajnë trashëgiminë e shtetit të Kosovës.

“Ky muaj në fakt ngërthen ne vetvete dhimbje po ashtu edhe heroizmin e atyre që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës. Ajo çfarë po më lë përshtypje është se pavarësisht 82 të vrarëve të këtij fshati, qofshin si martirë e dëshmorë, janë këta fëmijë të cilët e ndërtojnë brezin e ardhshëm dhe përmes brezave ne kemi mbijetuar ku jemi këtu dhe nuk do të ndalemi do të vazhdojmë sërish pavarësisht çmimit që kemi paguar në luftën e fundit, pavarësisht çmimit që kanë paguar Celina në luftën e fundit dhe sigurisht që i ka kushtuar tepër shtrenjtë me gjakun e djemve e bijave të veta”, tha Rexhaj.

Rahoveci sot ka shënuar përvjetorin edhe të masakrave në Brestoc e Fortesë, ndërsa nesër do të shënohet përvjetori i masakrës në Krushë të Madhe.

Back to top button