Joseph për deklaratën e Hill rreth bombardimeve të NATO-s: Nuk ishte e mençur

Ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka shprehur ngushëllime familjeve për jetët e humbura gjatë luftërave të viteve 90’të dhe të atyre që pësuan humbje si pasojë e bombardimeve të NATO’s. E këtë deklaratë të tij e ka komentuar në rrjetin social Twitter, analisti amerikan Edward Joseph

Ai e ka quajtur këtë si një veprim jo të mençur.

“Ambasadori Chris Hill shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e jetëve të serbëve gjatë luftërave të viteve 1990 dhe konkretisht në fushatën ajrore të NATO-s. A ishte e mençur të bëhej një gjë e tillë? Jo”.

Ai më tej sqaron se pse mendon kështu.

“Nuk ishte e mençur sepse, që nga momenti i vitit 2010 kur Parlamenti serb njohu në heshtje gjenocidin e kryer në Srebrenicë, Serbia ka ecur mbrapa në trajtimin e së kaluarës … ndërsa demokracia e saj ka ecur prapa. Revizionizmi është thelbi i regjimit të Vuçiqit”.

“Ashtu si Putini me rusët, Vuçiç inkurajon serbët të mendojnë për veten si viktima, jo si autorë. Për Beogradin, historia e fundit e Kosovës fillon në vitin 1999, me bombardimet e NATO-s, jo me 1989 me heqjen e autonomisë – dhe një dekadë represioni brutal”.

“Në vitin 2020, ministri i Jashtëm Daçiq bëri këtë pyetje rrëqethëse: “Çfarë do të bëjmë me serbët që tregojnë se ku janë varrosur trupat e shqiptarëve nëpër Serbi? Deklarata e Hill nuk ishte gjithashtu e mençur sepse Rusia relativizon pushtimin e saj kriminal të Ukrainës duke iu referuar bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Putini përdor ndërhyrjen ushtarake dhe politike perëndimore në Kosovë si lëndë djegëse për ankesën bazë ruse, duke nxitur luftën”.

“Pra, ngushëllimet e bëra me qëllim përforcojnë ndjenjën oportuniste të viktimizimit ruse dhe serbe. Në vend që të qetësojnë hidhërimin, ngushëllimet i largojnë serbët për ta kuptuar të vërtetën: humbjet e tyre – duke përfshirë humbjen e Kosovës – janë kryesisht rezultat i agresionit serb”.

“Askush nuk duhet të habitet. Vuçiç nuk e ndryshoi narrativën e viktimës vetë-shërbyese edhe pasi zëvendëspresidenti i atëhershëm Biden shprehu ngushëllime në vitin 2016, duke përdorur të njëjtat fjalë si Hill. SHBA-ja vazhdimisht ka mbrojtur të drejtat e viktimave serbe. Pyetni Hashim Thaçin, tani në sallën e gjyqit të Hagës. “

Joseph shkruan se askush nuk e di më mirë se ambasadori Hill pse diplomacia dështoi, për të cilën foli edhe vetë Hill, duke thënë se dështimi i diplomacisë sjell pasoja.
“Një diktator cinik serb mori pushtetin duke abuzuar me Kosovën, duke refuzuar të rivendoste qoftë edhe një formë modeste të autonomisë. Ironia: sot Beogradi kërkon një formë autonomie për serbët e Kosovës, pasi të njëjtën gjë e shuan edhe për shqiptarët”.

Ndonëse nuk është deklaratë e mençur, Joseph thotë se ambasadori Hill nuk është domosdoshmërisht gabim pse shprehu ngushëllime.

“Diplomacia dështoi. Serbët vdiqën. Kombi serb e përjeton bombardimin e NATO-s si një traumë kombëtare – pavarësisht nga fajësia e udhëheqjes serbe për krimet në Kosovë (Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci)”.

Joseph po ashtu kujton se Hill, si ambasador në Maqedoninë e atëhershme gjatë fushatës së NATO-s, luajti një rol të rëndësishëm në strehimin human të refugjatëve shqiptarë të Kosovës të dëbuar gjatë luftës.

Joseph thotë se këtë e njeh nga dora e parë meqë kishte punuar edhe në një kamp të refugjatëve në Stenkovec afër kufirit Maqedoni-Kosovë.

“Vlerat perëndimore – vlerat amerikane – vlerat njerëzore përfshijnë njohjen e kujtimit të atyre që humbën në konflikt dhe dhimbjen e anëtarëve të mbijetuar të familjes. Me kalimin e kohës, me kthimin përfundimtar të Serbisë në rrugën demokratike, do të kuptohet sinqeriteti i gjestit të Hillit”, përfundon Joseph./21Media

Back to top button