Kundër hajnave edhe me Guardia di Finanzia

 

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka deklaruar sot se ‘lufta kundër hajnave’ do të vazhdojë me të gjitha kapacitetet e mundshme vendore e ndërkombëtare dhe pavarësisht lidhjeve të atyre që kryejnë krime, ata do të ndiqen deri në fund.

Ajo në një postim në Facebook ka përkujtuar se më 6 tetor, Guardia di Finanza bashkë me ambasadorin italian në Prishtinë Nicola Orlando kanë vizituar Ministrinë e Financave, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ATK-së, Doganave dhe Njësisë së Inteligjencës Financiare.

Në takim është diskutuar për një projekt mes Gurdia di Finanza, ATK-së, Doganës dhe NJIF, që do të financohej nga Bashkimi Evropian, e që për qëllim do të kishte bashkëpunimin në luftimin e evazionit, informalitetit, kontrabandës, pastrimit të parave dhe aktiviteteve tjera të kundërligjshme që dëmtojnë financat publike.

“Pas vjedhjes në Thesar, në cilësinë e ministres së Financave i kam dërguar letër ambasadorit italian, që në fusha të bashkëpunimit të përfshihet edhe Thesari, me theks auditimi në Thesar, por edhe ngritja e nivelit të sigurisë dhe integritetit të sistemit. Njëherësh kam kërkuar nga ambasadori i BE-së Tomas Szunyog edhe mbështetjen financiare nga BE që Guardia di Finanza të auditojë Thesarin”, shkruan Bajrami.

Guardia di Finanza është një forcë policie me një urdhër ushtarak që vepron për të ruajtur sigurinë ekonomike dhe financiare.

Back to top button