Kundërpërgjigje Putinit: Kosova s’është Donbas

Kosova i plotëson kriteret për të qenë shtet i pavarur, ndryshe nga rajonet separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, thotë Matthias Hartwig, ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare, me bazë në Gjermani.
Sipas tij, një shtet mund të ekzistojë nëse i përmbushë tri elemente: territorin e përcaktuar, popullsinë e përhershme dhe kapacitetin udhëheqës.
“Të tria këto elemente, Kosova i plotëson”, thotë ai. “Në rastin e pjesës lindore të Ukrainës, Rusia dëshiron të formojë një shtet që nuk ekziston, pasi ai është pjesë e një shteti tjetër dhe kjo përbën ndërhyrje të madhe në sovranitetin e një shteti”, thotë Hartwig për Radion Evropa e Lirë.
Tri ditë para se të niste pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njohur dy rajonet separatiste të këtij vendi, Donjeckun dhe Luhanskun, si shtete të pavarura.
Këtë veprim ai ka bërë përpjekje ta justifikojë këtë javë, duke tërhequr paralele me Kosovën.
Në një takim me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Moskë, Putin ka thënë se republikat e Donbasit – siç njihen bashkërisht Donjecku dhe Luhansku – kanë vepruar njësoj si Kosova me shpalljen e pavarësisë.
“Është fakt që shumë shtete perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ne e kemi bërë të njëjtën gjë me republikat e Donbasit”, ka thënë Putini më 26 prill, sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca ruse./rel

Back to top button