“Kupa e Gjeravicës”, kërkohet mbështetja e shtetit për zhvillimin e turizmit

Bjeshkët e Belegut të Deçanit sot ishin të stërmbushura nga 400 skijatorë nga vende të ndryshme të Kosovës.
Garën e organizuar të skijimit “Kupa e Gjeravicës” në bashkëpunim me Federatën Skitare të Kosovës, për U30 e fitoi Arbi Popovci, ndërsa U21 për femra Arba Popovci.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se është për keqardhje që kjo garë nuk financohet nga buxheti i pushtetit dhe nuk promovohet.
Sipas Ramosajt, kjo bjeshkë është ndër kryesoret ne Ballkan pasi lidh Kosovën me Shqipërinë dhe Malin e Zi, dhe ndikon në zhvillimin ekonomik dhe sektorë të tjerë. Ramosaj shpreson që një ditë këto bjeshkë të promovohen dhe financohen nga dora e shtetit.
“Është aktivitet i zakonshëm, duhet me thënë për keqardhje është gara e gjashtë promovuese, sepse e kemi menduar dhe kemi qenë të përkushtuar të kemi një garë edhe me Federatën e Skive të Kosovës. Edhe ideja e garës së parë promovuese dhe e gjashta, është të trokitet në buxhetin shtetëror për të bërë investime të duhura, t’i jepet perspektivë këtij qyteti, shteti e qytetarëve në tërësi. Kjo është një ndër qendrat kryesore që ka jo vetëm Kosova, por edhe Ballkani si pistë e skive për shkak se është në trekëndëshin kufitar Kosovë, Shqipëri dhe Mali i Zi dhe është një lloj epiqendre që lidh këto shtete dhe bënë një atraksion. Ndikon mirë edhe në zhvillimin ekonomik edhe në këto integrimet shkëmbim e kulturave, përvojave të punës, mallrave dhe gjithçka fut në funksion”, tha Ramosaj.
Drejtori i Turizmit në komunën e Deçanit Isuf Demhasaj u shpreh se gara të tilla sportive ndikojnë në zhvillimin e turizmit.
“Sot moti na mori shumë mirë, jemi ndarë shumë të kënaqur, gjithçka shkoi në rregull edhe numri i pjesëmarrësve ishte i mjaftueshëm… diku afër 400 (pjesëmarrës) edhe kërkim-shpëtimi na ka ndihmuar shumë edhe QKMF në Deçan… si garë promovuese ndikon tepër shumë, duke u bazuar edhe me vite të kaluara, në vitin 2022 ka pasur një ndikim dhe influencë tepër të madhe rritje të turistëve”, u shpreh Demhasaj.
Kryetari i shoqatës “Shkëlzen Haradinaj”, Jeton Berisha foli mbi rëndësinë e promovimit të bjeshkëve të Gjeravicës për zhvillimin turistik të vendit.
“Sot është gara e gjashtë në bjeshkën e Belegut. Lartësia është këtu 2080 metra. Me përkushtimin e plotë të kryetarit të komunës dhe shoqatave janë përkushtuar shumë që ta rregullojnë këtë pistë për sot që të jetë kështu… Një pjesë e madhe e popullit në Kosovë nuk e njeh këtë bukuri. Këtu punohet me përkushtim, por asnjëherë asnjë ndihmë nga shteti nuk e kemi marrë”, ka thënë Berisha.
Pjesëmarrës ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili u nderua me mirënjohje.