Kupina nga Presidenca i quan të turpshme dhe skandaloze deklaratat e Muratit

Presidenca e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të ministrit në detyrë të Financave Hekuran Murati ndaj kërkesës së presidentes Vjosa Osmani për heqjen e tarifës ndaj produkteve të SHBA-së, pasi kjo e fundit vendosi tarifën 10 për qind.
Në një reagim në Facebook, Bekim Kupina nga Presidenca, ka thënë se “Hekuran Murati është njeriu i fundit në këtë shtet që mund të na flasë për seriozitet”.
“Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentuesit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës, që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjike në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial, një njeri që mendon se me fyerje e ofendime mund të arrijë diçka në interes të Kosovës, pas një letre institucionale e mirë të studiuar që Presidentja ia ka drejtuar Kryeministrit bazuar në rregullat e komunikimit shtetëror e mirësjelljes e respektit ndërinstitucional”, ka shkruar Kupina, raporton KosovaPress.
Kupina nuk e ka lënë me kaq duke i quajtur deklarimet e Muratit si të turpshme, skandaloze, mungesë respekti institucional e mungesë të njohurive bazike se si udhëhiqet shteti dhe “me mungesë të gatishmërisë minimale që të punohet e bashkëpunohet në interes të Kosovës është deklarata e tij e sotme.”
“Hiqni tarifat e paarsyeshme ndaj aleatit tonë kryesor, e leni deklaratat e turpshme dhe fëmijërore”, ka porositur Kupina ministrin në detyrë Hekuran Muratin.
Kujtojmë, reagimi i Hekuran Muratit erdhi pasi Vjosa Osmani kërkoi nga qeveria heqjen e tarifës 10 për qind ndaj produkteve të SHBA-së. Murati tha se për kërkesën e të parës së shtetit kishte kuptuar vetëm nga mediat.
Ai madje tha se tashmë kanë diskutuar mbi këtë çështje dhe se “kurdo që merret një vendim patjetër që do t’ju njoftojmë me kohë”.
Presidentja Osmani i ka kërkuar sot qeverisë të pezullojë tarifat për produktet amerikane duke thënë se një gjë e tillë do të hapte mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen ekonomike afatgjatë.
“Më shumë se një lëvizje ekonomike, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar përkushtimin tonë të qëndrueshëm ndaj aleancës Kosovë-ShBA, e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe dekada të mbështetjes së palëkundur”, ka shkruar ajo në X.
Ndërkohë, kongresistët republikanë Carlos Gimenez dhe Keith Self kanë lavdëruar kërkesën e Osmanit për heqjen e tarifës ndaj importeve të produkteve të SHBA-së, duke theksuar se shembullin e Kosovës duhet ta ndjekë edhe Evropa.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump më 2 prill nënshkroi vendimin për tarifa ndaj pothuajse dyqind vendeve botërore, përfshirë Kosovën e Shqipërinë prej 10%.