Kur do të ndodhë thirrja e BE-së për RMV-në? Giri thotë se jemi lartë në agjendën strategjike

2 min read

“Në momentin kur ata do të vendosin t’i ndërmarrin hapat e ardhshëm dhe ta japin fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut, sepse ne e meritojmë këtë, mund të na kontaktojnë. 16 vjet e gjysmë pritje me të gjitha gjërat që i kaluam, është traumë e madhe, kurse kemi 12 rekomandime pozitive nga Komisioni Evropian”.

Edhe pse kryeministri Zoran Zaev dëshiron që kjo thirrje të ndodhë sa më shpejt, megjithatë me shumë gjasa nuk do të ndodhë në momentin kur e pret ai ose qytetarët e Maqedonisë. Gjithçka varet nga Bullgaria dhe vetoja e tyre.

“Mesazhi im do të ishte se ne duam ta shohim hapjen e negociatave sa më shpejt që është e mundur. Njëkohësisht, i inkurajojmë dhe nxisim negociatat bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e ndërsjella”, tha Dejvid Gir, ambasador i BE-së në Shkup.

Anëtarësimi në BE nuk ka alternativë, porosit Zaev, kurse euroambasadori thotë se vendi i Ballkanit Perëndimor është në Union. Maqedonia e Veriut, por edhe vendet e tjera, nga aspekti strategjik renditen lart në agjendën e BE-së. Giri shton se këtë e dëshmojnë edhe mesazhet e liderëve evropianë.

“Nëse ju kujtohet, BE-ja në nivelin më të lartë porositi se Maqedonia e Veriut duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe kjo mbetet qëllim strategjik në nivelin më të lartë. Nëse i keni ndjekur nga afër debatet që u zhvilluan gjatë muajve të fundit, do të shihni se udhëheqësit evropianë këtë mesazh po e theksojnë vazhdimisht në mënyrë të qartë dhe të zëshme”, tha Gir.

Por, megjithatë këto porosi nuk arritën t’ia ndryshojnë mendjen fqinjit tonë lindor. Në Bullgari u mbajtën zgjedhje dy herë edhe atë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Presidenti Radev, kishte konsultime për formim të një Qeverie të re. Parlament ka, por kabineti qeveritar do të presë. Megjithatë, duket se kushdo që të jetë kryeministri i ri, pozicionet e Bullgarisë lidhur me çështjen e Maqedonisë nuk do të ndryshojnë. Sinjale të tilla mbërrijnë nga Sofja zyrtare. Është vështirë të vlerësohet nëse kryesimi i Sllovenisë me BE-në do të ndryshojë diçka, nëse do të ketë ndonjë lëvizje sa u takon negociatave dhe nëse do të ketë përafrim të qëndrimeve mes RMV-së dhe Bullgarisë. Një gjë është e sigurt – derisa pala maqedonase nuk pajtohet të lëshojë pe, Bullgaria nuk do ta heqë veton.