Kurti-Abdixhikut: LDK-në e ka marrë lumi, LDK-në e ka “Vjosa”

(Lajm i përditësuar)
Kritik ndaj kryeministrit Albin Kurti u shpreh edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se koha kur Lëvizja Vetëvendosje ka pasur në dorë në LDK ka vdekur.
“Kryeministër nëse mendon që më qet prej takti ose nervozon me ofendime personale, gabohesh shumë. Por, të them kështu, unë kur shikojë veten në pasqyrë nuk e kam barrën që kam vdekur njerëz për kauzën time politike. Nuk e kam barrën që kam djegur një Kosovë të tërë për një kauzë që sot e kam shkelur, kur e shikojë veten në pasqyrë, nuk kam barrën që i kam quajtur njerëzit tradhtarë dhe kam rrezikuar jetën e tyre. Nuk e kam barrën që i kam ngrënë gjitha qershia një nga një. Nuk e kam barrën që kam rrezikuar të ardhmen e vendit për shumë vite, jam shumë i qetë në këtë drejtim. Por, pse ti duhesh të ballafaqosh veten tënde, kjo është brengë për ty dhe po shijojë çdo sekondë…Koha kur Vetëvendosja ka pasur dorë në LDK ka vdekur, tash kisha thënë brengosu pak në rrethin tënd se çka po mendojnë”, deklaroi ai.
Këtij të fundit i reagoi sërish Kurti, kur tha se LDK-në e ka marrë lumi, sipas tij lumi Vjosa, duke aluduar në presidenten Vjosa Osmani.
“Ka dy vite që LDK-në e ka marrë lumi. LDK-në e ka marrë lumi, e ka marrë lumi Vjosa”, theksoi ai.
Kurti i reagon Krasniqit e Abdixhikut: Po flisni me diskursin e aktivistit të pakënaqur të Vetëvendosjes
Pas kritikave që kryeministri i Albin Kurti, mori nga liderët e opozitës, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixihku, reagoi duke thënë se ata po flisnin sikur të ishin ish aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Zotëri Abdixhiku dhe zotëri Krasniqi, po flisni si me qenë anëtarë të dorëhequr të Vetëvendosjes. Po më duket si me qenë tu fol përpara Këshillit të Vetëvendosjes. Këtu jemi në Kuvend, ju s’jeni anëtarë të Lëvizjes… Po flisni me diskursin e aktivistit të pakënaqur të Vetëvendosjes, që jep dorëheqje” tha Kurti.
Krasniqi dhe Abdixhiku gjatë kritikave të tyre i thanë se ka shkelur të gjitha parimet e tij, kur thoshte “jo negociata, Vetëvendosje”.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?