Kurti apel për UEFA-n dhe FIFA-n: Mos lejoni këso gjëra

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka vizituar Kombëtaren e Kosovës në prag të ndeshjes kundër Lituanisë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Vizita e shefit të qeverisë, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit Hajrulla Çeku dhe ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, vjen pasi futbollistët dhe Federata refuzuan të vazhdojnë përballjen kundër Rumanisë në Bukuresht, pas thirrjeve raciste dhe anti-Kosovë.
Kurti mes tjerash vuri theksin te rëndësia e drejtësisë dhe unitetit përballë sfidave të tilla, ku edhe tha se “tani është mbushur kupa”.
“Nuk është hera e parë që po na ndodhë një situatë e tillë. Thirrje shoviniste kundër Kosovës dhe shqiptarëve, thirrje raciste kundër lojtarëve tanë dhe popullit tonë kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Vetëm se tash është mbushur kupa. Dhe nuk ka vend në kupë për më shumë sulme të tilla denigruese që janë të papranueshme në botën e civilizuar. Kur kjo ndodh në një shtet i cili ende nuk na ka njohur, gjithçka bëhet edhe më e rëndë”, u shpreh kryeministri.
Ai premtoi mbështetje institucionale dhe përfshirje në arenën ndërkombëtare për të luftuar sjelljet e tilla.