Kurti: Austria, aleate e rëndësishme në forcimin e demokracisë sonë

Marrëdhëniet e mira dhe rezultatet e frytshme që vijnë nga puna e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës me trupin diplomatik të Austrisë, u theksuan nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Austrisë në Kosovë, për përfundimin e mandatit të ambasadorit Weidinger.

“Puna e ambasadorit Weidinger në Kosovë ka përfaqësuar këtë dinamikë pozitive ndërmjet diplomacisë së huaj dhe qeverisë vendase,” u shpreh Kryeministri Kurti në fjalën e tij hyrëse.

Më tej, ai theksoi se Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e shtetësisë së Kosovës dhe në zhvillimin e rajonit tonë, ka investuar prej kohësh në përparimin demokratik brenda vendit tonë si dhe ka mbrojtur njohjen tonë ndërkombëtare. Kryeministri veçoi Agjencinë për Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim, e cila ka dhënë kontribut të madh përmes projekteve që përfshijnë fusha të shumta, e që fokusohen në masë të madhe në arsim.

Kurti potencoi mirënjohjen ndaj ambasadorit Weidinger duke thënë se gjatë kohës së tij në Kosovë ai ka qenë faktor kyç në nxitjen e një marrëdhënieje të veçantë midis dy vendeve tona, për avokimin për vlerat më të mira austriake dhe më të mirat e vendit tonë./21Media

Back to top button