Kurti: BE të gjejë mekanizëm për ta bërë marrëveshjen me Serbinë ligjërisht të detyrueshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se i takon Bashkimit Evropian të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen me Serbinë ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme.

Ai ka potencuar se në Ohër kanë shkuar me qëllime të mira dhe kanë treguar mirëbesim gjatë takimeve të djeshme.

Kurti ka falënderuar të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të dërguarin e posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për angazhimin, si dhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen.

“Tani kemi arritur një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, ashtu si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes dhe tani edhe Aneksit. I takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.

Back to top button