Kurti bën një njoftim rreth premtimit të vjetër për “banimin e përballueshëm”
Kryeministri Albin Kurti gati në fund të mandatit dhe afër fushatës ka bërë një njoftim rreth premtimit të vjetër për “banimin e përballueshëm”.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti, ka njoftuar se është hapur tenderi për banim të përballueshëm në komunat, Pejë, Istog, Gjilan dhe Podujevë.
“Ta bësh Kosovën të jetueshme do të thotë ta bësh Kosovën të banueshme. Këtë e bën projekti ynë i Banimit të Përballueshëm, që siç e kemi premtuar edhe do ta realizojmë. Për të kemi punuar nga fillimi i mandatit: -Në prill të vitit 2021 formuam komitetin këshillues për studimin e fizibilitetit; -Në shkurt 2022 kemi pranuar studimin e fizibilitetit ku theksoheshin rrugët që duhet ndjekur, çështja e pronave dhe sfidat që parasheh ky projekt; -Në shkurt të vitit 2024 hapëm thirrjen për të gjitha komunat që të aplikojnë për banim të përballueshëm; -Në korrik 2024 miratuam në Qeveri projektligjin për këtë projekt; dhe-Sot, 29 nëntor 2024 po e hapim tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm” ka shkruar Kurti.
Kurti ka njoftuar se shumë shpejt do të procedohet edhe me nëntë komuna të tjera.