Kurti bëri homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar edhe nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku por edhe disa deputetët kanë bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Homazhe në Prekaz u bënë meqë sot bëhen 24 vjet prej kur ndodhi sulmi i dytë nga forcat serbe ndaj familjes Jashari.
“Erdhëm që të bëjmë homazhe tek varret e tyre dhe njëkohësisht më pasë të shikojmë se si janë duke u bërë ndërhyrjet emergjente në kullën e Jasharajve, si janë duke u bërë ato shtrëngimet fillestare në mënyrë që kjo ndërtesë të mos degradohet dhe të mbrohet”, ka thënë Kurti gjatë një prononcimi për media.

Pas homazheve Kurti dhe kabineti do të vizitojnë kullat ku do të takohet edhe me familjen Jashari, do të vizitohet shtëpia e Hamit e Salë Jasharit dhe të shihen ndërhyrjet emergjente në këtë shtëpi.
Më 22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.
Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.
Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998. Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK, Adem Jasharin, transmeton Koha.net.
Këtij sulmi i kishte shpëtuar Iliriana, e cila ndodhej në Akrashticë të Vushtrrisë. Ajo ishte e fejuar e më pastaj është martuar në Açarevë të Skënderajt, me Asllan Selimin, bashkëluftëtar i Adem Jasharit, e vëlla i Rexhep Selimit./21Media

Back to top button