Kurti bëri homazhe të varret e vëllezërve Bytyqi dhe bisedoi me ish-pjesëtarë të Brigadës “Atlantiku”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka vënë lule dhe ka bërë homazhe te varret e tre vëllezërve Bytyqi në Yonkers, të New Yorkut.
Pas homazheve, kryeministri Kurti ka thënë se sakrifica, patriotizmi dhe humanizmi i vëllezërve Bytyqi është vlerë kombëtare mbi të cilën ndërtohet Republika e Kosovës, si shtet i pavarur dhe mbi të cilën përparon i mbarë kombi shqiptar.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përpjekje e përbashkët e të gjithë shqiptarëve edhe në Ballkan edhe në mërgatë, e Batalioni “Atlantiku” është dëshmi për këtë, ka shtuar ai, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.
Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, të cilët kanë  qenë shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë vrarë në Serbi nga policia serbe në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Trupat e tre vëllezërve janë zbuluar në korrik të vitit 2001, në një varr masiv me shqiptarë të tjerë të vrarë.
Kryeministri Kurti ka thënë se vrasja e vëllezërve Bytyqi është krim i Serbisë që ende nuk është zbardhur plotësisht.
“Andaj edhe në raport me Serbinë, por edhe me faktorët ndërkombëtarë, ne vazhdimisht insistojmë dhe kërkojmë që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e drejtpërdrejtë të arrestohen, të gjykohen dhe të dënohen, në mënyrë që ata që sakrifikuan jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e vendit të prehen të qetë”, ka theksuar ai.
Me rastin e nderimeve te varrezat për vëllezërit Bytyqi, kryeministri Kurti ka pasur një bashkëbisedim edhe me ish-pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, pjesëtarë të së cilit kanë qenë edhe vëllezërit Bytyqi.
Ky batalion ka qenë i përbërë nga burra e gra, të cilët në vitin 1999 kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe iu kanë bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për çlirim nga regjimi i Serbisë./21Media

Back to top button