Kurti beson në pafajësinë e Thaçit, Veselit dhe të tjerëve: E mbështesim mbrojtjen e tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se beson në pafajësinë e Thaçit, Veselit dhe të tjerëve teksa ka treguar se çfarë ka bërë shteti i Kosovës për të akuzuarit.

Në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List”, Kurti ka thënë se Kosova ka paguar mbi 16 milionë euro për mbrojtjen e tyre.

Sipas Kurtit, drejtësia ndërkombëtare nuk ka përfunduar akoma punë, sa i përket drejtësisë në ish-Jugosllavinë.

”Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, e pastër, çlirimtare dhe antikoloniale. Unë besoj në pafajësinë e atyre që janë atje. Ne e mbështesim mbrojtjen e tyre dhe deri më tani kemi paguar si shtet mbi 16 milionë euro për mbrojtjen e tyre. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se nuk e kanë mbaruar punën e tyre sa i përket drejtësisë në territoret e ish-Jugosllavisë, sepse në vitet e nëntëdhjeta nga forcat serbe janë vrarë 150 mijë joserbë. Do të thotë që, nëse një njeri ka vrarë deri në 10 prej tyre, janë 15 mijë vrasës serikë në Serbi të cilët shëtisin lirshëm. Nga ky numër, as 1% e tyre nuk kanë përfunduar pas grilave. Edhe këtu kemi një asimetri të theksuar që bie ndesh me pajtimin e popujve tanë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kurti./21Media

Back to top button