Kurti: Bisedimet me LDK-në vazhdojnë në janar
“E ofruam pozitën e kryeparlamentarit por ajo u refuzua”
Pretendenti për formimin e qeverisë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deklaroi se në janar të vitit 2020 do të vazhdohet me përpjekjet për formimin e një koalicioni me LDK-në. Ai në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, tha se oferta e kryeparlamentarit u refuzua nga LDK.
“80 ditë nuk mjaftuan për ta arritur marrëveshjen që kërkohej sepse kishte kërkesa përtej mandatit. Ne kemi marrë mesazh të qartë në zgjedhje, që opozita e djeshme të jetë pozita e ardhshme. Ne si lëvizje jemi munduar të reflektojmë në këtë mesazh. Ne kemi ofruar njërin nga dy postet që qytetarët na ofruan neve. E ofruam pozitën e kryeparlamentarit por ajo u refuzua… kohë për të humbur nuk kemi, jemi të varfër e të izoluar, jetojmë në rajon ku jemi të rrezikuar, ku në çdo fushë duhet ndërhyrje emergjente”, tha ai.
I vetmi vendim i mirë në vitin që po lëmë pas, sipas tij, është dorëheqja e Ramush Haradinajt.