Kurti: Çështja e të pagjeturve është plagë e hapur dhe e pashëruar

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot priti në takim drejtorin rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq Martin Schüepp. Temë qendrore e diskutimit ishte çështja e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Siç u bë e ditur në komunikatë, Martin Schüepp tha se është shumë e rëndësishme për njerëzit që kanë përjetuar ngjarjet e luftës që t’i ndajnë ato me të tjerët, sepse mund të kuptohen më shumë gjëra rreth asaj që ka ndodhur.

Ndërsa, Kryeministri Kurti tha se çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe ende e pashëruar. Siç tha ai, është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, sepse krimet nuk janë kryer nga individë, por nga shteti serb.

Kurti nuk e la pa e përmendur edhe përkushtimin e Qeverisë për adresim të kërkesave dhe shqetësimeve të familjeve të personave të pagjetur, për domosdoshmërinë e avancimit të politikave institucionale, përmes të cilave do të ketë trajtim meritor për të pagjeturit dhe familjet e tyre.

”Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe i jep prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve të tyre dhe vendosjen e drejtësisë”,  u bë e ditur në komunikatë./21Media

Back to top button