Kurti dhe Merkel u pajtuan se rezultati i dialogut duhet të jetë njohja reciproke

 

Kryeministri Albin Kurti sot ka zhvilluar takim virtual me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, me ç’rast e ka falënderuar për takimin dhe letrën e urimit, me rastin e zgjedhjes kryeministër, si edhe për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën dhe popullin e saj.

Siç ka informuar qeveria, kancelarja Merkel e ka uruar kryeministrin për fitoren plebishitare dhe i ka dëshiruar suksese në qeverisje.

“Ajo ka shprehur mbështetje për programin e Qeverisë për drejtësi dhe punësim. Duke vënë në spikamë marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, kancelarja nënvizoi projektin e Parkut për Inovacion dhe Trajnim në Prizren, si mundësi për zhvillimin e bizneseve. Kancelarja Merkel përgëzoi kryeministrin Kurti për menaxhim të mirë të situatës me pandeminë në këto javë të qeverisjes dhe shprehu gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në sigurimin e më shumë vaksinave.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Ndërsa, kryeministri ka konfirmuar përkushtimin për realizimin e planeve për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, të cilat krijojnë vende të reja të punës. Ai ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, sidomos nëpërmjet investimeve të përbashkëta të afaristëve gjermanë dhe mërgatës së madhe shqiptare që jeton në Gjermani.

Në diskutimet për mërgatën e Kosovës në Gjermani, siç është bërë e ditur në komunikatë, kancelarja ka theksuar se është duke shikuar me vëmendjen e duhur çështjen e njohjes së patentë-shoferëve të Kosovës.

“Lidhur me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti përsëriti se duhet të jetë dialog mes dy palëve të barabarta, që zgjidhë kontestet mes dy shteteve e që normalizon marrëdhëniet ndërmjet tyre. Kryeministri dhe kancelarja u pajtuan që procesi i dialogut duhet të jetë i drejtë, i ndërtuar mbi mirëbesim dhe se rezultati i dialogut duhet të jetë njohja reciproke.”, është bërë e ditur në komunikatën e qeverisë.

Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve dhe nuk mund të kthehemi në kohën para vitit 2008, ka shtuar kryeministri Kurti.

Kurti dhe Merkel kanë biseduar edhe për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Në pritje të Samitit të Berlinit, që pritet të mbahet në fillim të korrikut, kryeministri Kurti ka theksuar se rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por jo për projekte si zëvendësim i BE-së.

Më tej, kryeministri kërkoi nga kancelarja gjermane angazhim për liberalizmin e vizave për popullin e Kosovës. Ai ka thënë  se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se Gjermania mund të ndihmojë ta shtyjë këtë çështje përpara.

Kancelarja Merkel ka rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës./21Media

Back to top button