Kurti dhe Szunyog diskutuan për luftimin e korrupsionit

Kryeministri Albin Kurti sot priti në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog, me të cilin diskutoi për fushën e drejtësisë dhe luftimit të korrupsionit.
Kryeministri Kurti, siç u informuar, tha se Qeveria mbetet e përkushtuar për reformën në drejtësi, dhe se vetingun në sistemin e drejtësisë e sheh si procesin më të përshtatshëm që e mundëson atë.
“Ne duam që procesin e vetingut ta bëjmë së bashku me Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri Kurti, teksa theksoi rëndësinë e partneritetit me Bashkimin Evropian, sidomos pas situatës së krijuar në Ukrainë.
Në anën tjetër, ambasadori Szunyog tha se sundimi i ligjit në Kosovë është çështje e rëndësishme për Bashkimin Evropian. Ai tha se pajtohet për nevojën për një sistem të drejtësisë që është efikas dhe i paanshëm.
Siç informoi Zyra e Kryeministrit, Szunyog e vlerësoi pozitivisht prioritizimin e agjendës legjislative në fushën e anti-korrupsionit, sikurse edhe gatishmërinë e institucioneve për të bashkëpunuar me Komisionin e Venecias, sikurse në rastin e projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, procesin e vetingut dhe tash së fundmi projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.​
Ndërsa, Kurti shtoi se angazhimin e Policisë së Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet ta komplementojmë me prokurorë dhe gjykatës efektiv, të cilëve nuk u mungon as integriteti e as kompetenca./21Media

Back to top button