Kurti: Dhuna seksuale gjatë luftës, pjesë e gjenocidit që kemi përjetuar nga Serbia

“Ajo çfarë u ka ndodhur këtyre personave nuk u ka ndodhur për shkak të emrave të tyre të veçantë, apo karakteristikave individuale, por për shkak se ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetonin në tokën e tyre të lirë”. Kështu tha kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas homazheve tek memoriali “Heroinat” me rastin Ditës memoriale të 25 vjetorit të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Kurti, i cili bëri thirrje për drejtësi, ka thënë se të gjithë të dhunuarit e luftës kanë paguar një çmim të lartë, fizik, psikik dhe emocional për shtetin dhe lirinë tonë.

“Të gjithë kanë paguar një çmim të lartë, fizik, psikik, dhe emocional për shtetin dhe lirinë tonë. E ka kripën në plagë për shkak të signatizimit që i ka ndodhur gjatë këtyre 25 viteve. Thua që krimi që bëri Serbia nuk mjaftonte, pasoi sigmatizimi ndaj këtyre personave të mbijetuar të dhunës seksuale. Ajo çfarë u ka ndodhur këtyre personave nuk u ka ndodhur për shkak të emrave të tyre të veçantë, apo karakteristikave individuale, por për shkak se ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetonin në tokën e tyre të lirë. Janë mbi 20 mijë gra e vajza, burra e djem të cilët janë të përdhunuar gjatë luftës dhe është pjesë e gjenocidit që kemi përjetuar nga Serbia”, tha Kurti.

Ndërsa, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi- Goodman, e cila tha se është krenare për shtetin që kemi, u shpreh shpreh se në këtë ditë, para 25 viteve, ishte një ditë shumë e tmerrshme për të, por se plagët e saj ishin ato që e bëjnë atë të fortë sot.

“Ishte një ditë shumë e tmerrshme për mua. Por unë sot jam shumë e fortë, jam shumë krenare për shtetin që kemi. Kemi ushtrinë tonë, policinë dhe me plot besimin që policia jonë dhe ushtria nuk do të bëjë çfarë bëri ushtria serbe”, është shprehur Goodman.

Edhe Shyhrete Tahiri-Sylejmani la një mesazh emocionues për popullin e Kosovës, duke thënë “ju lutem mos na harroni!”.

Homazhe tek memoriali “Heroinat” bënë edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Back to top button