Kurti: Dialogu me Serbinë të përgatitet mirë e të jetë parimor

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot priti në takim përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad dhe ambasadorin norvegjez, Jens Erik Grøndahl, nga të cilët mori urime për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për fitoren në zgjedhje.

“Ata po ashtu i dëshiruan sukses kryeministrit në ardhje, z. Kurti në punën e tij drejt formimit të institucioneve të reja. Kryetari Kurti i falënderoi për urimin dhe tha se është duke u përkushtuar që qeveria e re të konsolidohet pa ndonjë vonesë.”, bëri të ditur VV përmes një postimi.

Kandidati për kryeministër të Kosovës gjatë takimit u shpreh se detyra e parë dhe urgjente e qeverisë së re do të jetë sigurimi i vaksinës kundër Covid-19.

“Për këtë, të dyja palët ndanë bindjen që shtetet mike duhet ta ndihmojnë Kosovën për ta siguruar atë në sasi sa më të madhe dhe sa më shpejtë. Çështje tjera që u diskutuan krahas menaxhimit me pandeminë dhe prioriteteve të tjera të qeverisë së re, ishin dialogu me Serbinë dhe raportet ndërfqinjësore.”, bëri të ditur VV në facebook.

Po ashtu, Kurti përsëriti qëndrimin që ky proces të përgatitet mirë dhe të jetë parimor e me qytetarët si përfitues.

Të dyja palët shprehën vullnetin për ta zgjeruar bashkëpunim në çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe për t’i thelluar marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve./21Media

Back to top button