Kurti: Duhet të diskutojmë me të gjitha partitë për datën e zgjedhjeve të parakohshme

(Lajm i përditësuar)
Kurti: Duhet të diskutojmë me të gjitha partitë për datën e zgjedhjeve të parakohshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në takim me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi ka diskutuar çështje të aktualitetit politik, me theks të veçantë agjenda legjislative.
Kurti ka shtuar se kanë diskutuar edhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, por edhe për mundësinë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt duke shtuar se PDK-ja e ka përcaktuar kandidatin për kryeministër.
Ndërsa tutje ai ka shtuar se për datën e zgjedhjeve duhet të diskutojnë me të gjitha partitë.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve. Edhe unë jam i interesuar ta diskutojë me opozitën se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Në përgjithësi janë pranvera dhe vjeshta më të përshtatshme për zgjedhje por nëse shkon mandati deri në fund do të mbahen në dimër. Por nuk dua që për këtë ta imponojë vullnetin tim. Debatin le ta bëjmë në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar për datën e zgjedhjeve. Darka ka zgjatur shumë, por nuk jemi parë kaherë dhe kishim shumë gjëra për të diskutuar. Duhet të diskutojmë më të gjitha subjektet politike dhe të shohim se cila është data që pajtohemi më së shumti pë zgjedhje”, ka thënë ai.
Tutje, Kurti ka shtuar se i kanë plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE dhe vendimi mbetet te Këshilli i Ministrave.
Kurti ka përmendur edhese sot kanë qenë të ftuara të gjitha partitë, duke shtuar se synon që t’i takojë edhe ato që nuk i kanë ardhur në takim.
Përfundon takimi Kurti – Krasniqi: Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është e nevojshme
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka theksuar nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Ai tha se zgjedhjet e reja janë nevojë e qytetarëve, siç tha pas dështimeve të njëpasnjëshme të qeverisë Kurti.
Ai kritikoi ekzekutivin për dështimin në anëtarësimin në Këshill të Evropës.
Nis takimi mes Kurtit e Krasniqit
Ka filluar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, ku pritet të diskutohet për agjendën legjislative të Kuvendit dhe zgjedhjet e parakoshme në vend.
Lideri opozitarë është i vetmi që ka pranuar ftesën për takim të kryeministrit Albin Kurti, ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë refuzuar ftesën, me arsyetimin se diskutimi për agjendën legjislative është në domenin e Kuvendit. Në takimin e sotëm po marrin pjesë edhe shefat e Grupeve Parlamentare, Mimoza Kuasari Lila nga VV dhe Abelard Tahiri nga PDK-ja.
Pas takimit Kurti dhe Krasniqi pritet të deklarohen për medie.
Ndërsa, ftesa e kryeministrit Albin Kurti për takim me partitë opozitare është e pasinqertë, thotë politologu, Fidan Ukaj. Sipas tij, LDK dhe AAK me të drejtë e kanë refuzuar ftesën, ndërkaq shton se në takimin e sotëm të Kurtit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi krahas diskutimit për agjendën legjislative pashmangshëm do të flitet edhe për zgjedhjet e parakohshme.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?