Kurti e Haxhiu falënderojnë deputetë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falënderuar deputetët e Kuvendit që me 63 vota për në seancën e sotme i dhanë mbështetje në parim projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Më në fund do të arrihet balanci ndërmjet anëtarëve të përzgjedhur prokurorë dhe atyre jo prokurorë. Në këtë mënyrë, ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të KPK-së nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokurorëve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit për kategori të tilla. Përbërja e ardhshme e Këshillit Prokurorial ka përgjegjësi të madhe e unike – të tregojë se nga reforma e filluar mund të kontribuojë dukshëm në fuqizimin e sundimit të ligjit, të dëshmojë partneritet e bashkëpunim ndërinstitucional në çështjet e rëndësishme për vendin, duke mos tentuar të arsyetojë mosveprimin me pavarësi të sistemit gjyqësor por të dëshmojë pavarësinë në ushtrimin e detyrave të përcaktuara me ligj”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas tij, projektligji i votuar sot do të ngritë pashmangshëm llogaridhënien dhe transparencën në sistemin prokurorial, veti këto të domosdoshme e aq të munguara brenda sistemit të drejtësisë.
Deputetët i ka falënderuar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se ky projektligj i hap rrugën reformimit të sistemit prokurorial të Kosovës.
“Falenderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin në parim të projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ky projektligj i hap rrugën reformimit të sistemit prokurorial të Kosovës dhe i njëjti është hartuar edhe në konsultim me Komisionin e Venecias, me ç’rast ndryshimi më thelbësor është përbërja e këtij Këshilli, ku nga 13 anëtarë që kishte, e vlerësuar si koorporatizëm edhe nga Komisioni i Venecias, është reduktuar në 7 anëtarë, me përfshirje të 3 anëtarëve jo prokurorë ku 2 do të zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës dhe 1 do të delegohet nga Avokati i Popullit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook./21Media

Back to top button