Kurti: E kemi përgjegjësi që brezat e ardhshëm mos të kalojnë nëpër vuajtjet që kaluam ne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe sot në 24-vjetorin e masakrës, në Krushë të Madhe.

Kurti ka kujtuar të gjithë të rënët për liri duke i quajtur si figura të ndritshme të vendit.

Derisa ka përmendur edhe figurën e Ukshin Hotit, kryeministri ka potencuar se vendi i ka shumë borxh, pasi sipas tij, gjithë vepra e tij është vepër për jetën dhe përpjeken politike që të jetohet me dinjitet me shtetin, i cili i shërben të gjithëve si Republikë.

“Çdo fillim pranvere ne i kujtojmë e i përkujtojmë ata, të cilët dhanë jetën e tyre, luftuan heronjikisht për çlirimin e Kosovës, për lirinë, pavarësinë e për bashkimin tonë. Andaj, edhe këtu në Krushë, në vendlindjen e Bacës Ukë, të profesorit, Ukshin Hoti, të cilët i kemi aq shumë borxh për shkak se gjithë vepra e tij është vepër për jetën dhe përpjeken tonë politike që të jetojmë me dinjitet në trojet tona dhe me shtetin, i cili na shërben të gjithëve si Republikë. Këtu pëkulemi me shumë mall, dhimbje e pikëllim, por të njëjtën kohë edhe me shumë dashuri, krenari e admirim që i patëm keta burrë e gra në krye me Ukshin Hotin dhe e arritëm çlirimin e vendit dhe njëkohësisht e kemi edhe udhërrëfimin se si të ecim përpra pa u ndalur, pikërisht për shkak veprës, jetes dhe rënies së tyre me flijim e sakrificë”, ka thënë ai.

Kurti është shprehur se është përgjegjësi e institucioneve dhe e qytetarëve që të bëhen bashkë që brezi aktual dhe brezat e ardhshëm të mos kalojnë nëpër “vuajtjet që kaluam ne”, por të kenë një të ardhme të ndritshme.

“Sot si institucione të Republikës, të shtetit me përgjegjësi dhe si qytetarë të shtetit me vetëdije, ne bëhemi bashkë që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm të fëmijëve që nuk kanë lindur ende të mos kalojnë nëpër këto vuajtje, humbje që kaluam ne, por të njëjtën kohë, të kenë edhe të ardhme të ndritshme në një Kosovë, rajon e Evropë, e cila është e lirë, e bashkuar dhe e mbrojtur nga çfarëdo agresioni”, ka thënë Kurti.

Të pranishëm me kryeministrin Albin Kurtin për të bërë homazhe në Krushë të Madhe kanë qenë edhe: ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Kryesuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti dhe qytetarë të këtij fshati.

Ndërkaq, nga ora 11:00 pritet që edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të bëjë homazhe në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël.

Back to top button