Kurti e Latifi për pandeminë: S’duhet kurrsesi të çlirohemi

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, kanë thënë se në Kosovë nuk ka vend për çlirim, në një kohë kur janë konfirmuar rastet e para të variantit të ri të COVID-19, Omicron.
Në një vizitë që ia bënë qendrës së vaksinimit në Fushë-Kosovë, Kurti e Latifi kanë bërë thirrje për vaksinim e respektim të masave anti-COVID, si armë të vetme dhe të dëshmuara kundër koronavirusit.
“Kryeministri dhe Ministri i Shëndetësisë ritheksuan se Qeveria është në krye të detyrës dhe bashkë me autoritetet shëndetësore, është duke monitoruar vazhdimisht situatën epidemiologjike, në konsultim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Ata thanë se çdo veprim, e çdo hap që do të ndërmerr Qeveria, do të jetë i bazuar në të dhënat shkencore më të fundit lidhur me variantin Omicron. Në takim u theksua se nuk duhet kurrsesi të çlirohemi. Përvoja e vendeve të tjera tregon se rritja e rasteve, si dhe rritja e numrit të pacientëve të shtrirë në spital, mund të jetë e shpejtë dhe e pamëshirshme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Përballë valës së Omicronit janë theksuar dy objektiva kryesore: Që rritja e rasteve të mos jetë e shpejtë që të ketë mbingarkim të sistemit shëndetësor dhe që të parandalohet përhapja e virusit.
“Suksesi i arritjes së këtyre objektivave varet jo vetëm nga Qeveria, por nga të gjithë”, u tha në takim.
U theksua se sa më shumë që të respektohen masat në fuqi, aq më lehtë do ta kalojmë valën e re të infektimeve. /21Media

Back to top button