Armani anulon shfaqjet e modës

Giorgio Armani nuk do të rrezikojë me organizim të shfaqjeve të modës për meshkuj, për sezonin vjeshtë 2022.
Ai njoftoi se ka anuluar të dy shfaqjet, si Emporio Armani, ashtu edhe Giorgio Armani, të cilat ishin caktuar të mbahen në Milano me 15 e 17 janar 2022.
Kjo shtëpi mode, për këtë njoftoi përmes një deklarate, sipas të cilës, vendimin për anulimin e shfaqjeve të modës e mori për shkak të gjendjes epidemiologjike. Nuk kanë në plan të organizojnë shfaqje në mënyrë digjitale.
Në anën tjetër, java e modës në Milano për meshkuj, pritet të mbahet nga data 14 deri më 18 janar 2022.
Armani ka zgjedhur të anulojë edhe shfaqjen e modës Prive Haute Couture 2022 për pranverë, e cila ishte planifikuar të mbahet kah fundi i janarit 2022 në Paris.
Java e modës Haute Couture në Paris do të mbahet nga data 24 deri më 27 janar 2022, përcjellë rtv21.tv
Përkundër asaj se në Itali u vaksinua një pjesë e madhe e popullatës, në këtë vend ashtu si në vende të tjera të botës, numri i të infektuarve u shtua dukshëm filluar nga mesi i muajit dhjetor 2021 deri për Vitin e Ri. Numri i të infektuarve në baza ditore arriti në rreth 100 mijë.
Milano dhe rajoni i tij, Lombardia, janë goditur rëndë nga variant i ri i COVID-19, Omicron. Në mesin e kufizimeve për mbrojtje nga pandemia, ata janë të detyruar të bartin maskat në vende publike, si brenda ashtu edhe jashtë në ambiente të hapura.
Ndërsa në Francë, numri i të infektuarve në baza ditore arrin në 160 mijë.
Edhe muajin shkurt 2020, kur goditi vala e parë e virusit korona në Itali, Armani ka organizuar shfaqjen e modës për femra për sezonin vjeshtor brenda dyerve të mbyllura. Kjo shfaqje është filmuar në një ambient pa mysafir dhe pa praninë e medieve, ndërkaq është trasmetuar në llogaritë e kompanisë Armani në Instagram e Facebook./21Media

Back to top button