Kurti e Rizvanolli vizituan KEK-un, Hoti: Për keqardhje – tash do të duhej të promovohej termocentrali me gaz

Pas vizitës së Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Korporatën Energjetike të Kosovës nga ku u njoftua se janë punësuar 149 persona ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ai ka adresuar kritika për Qeverinë Kurti duke thënë se aktualisht do të duhej të promovohej termocentrali me gaz, por se në vend të këtij projekti ata po vizitojnë KEK’un dhe krenohen me remontin e blloqeve në përgatitje për dimrin që po vjen.

“Pas katër vitesh në pushtet, asnjë projekt madhor nuk ka nisur. Nuk janë kryer as projektet e nisura nga qeveria e kaluar. Premtimi që VV-Guxo u kanë dhënë qytetarëve më 14 shkurt 2021 ka qenë: “Furnizim me energji të vazhdueshme dhe të përballueshme”.

Ky premtim, sikurse të gjitha premtimet e tjera, është shkelur pasi kapacitetet energjetike nuk janë rritur. Sot, Kosova nuk ka siguri energjetike, pra nuk ka energji të vazhdueshme. Çmimi i energjisë është rritur dy herë në këtë mandat, por jo pagat dhe të ardhurat e tjera, duke e shkelur kështu premtimin për energji të përballueshme”, ka shkruar Hoti./21Media

Back to top button