Kurti: E vërteta e Rezallës nuk mund të groposet në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar masakrën e Rezallës, ku para 24 vjetësh 98 burra dhe djem të rinj janë pushkatuar nga forcat e armatosura të Serbisë.

Ai ka thënë se pavarësisht përpjekjes për të zhdukur krimin e kryer duke i rrëmbyer kufomat, e vërteta e 5 prillit të vitit 1999 nuk mund të groposet e të mbulohet në varreza masive.

“Në përpjekje të zhdukjes së krimit, i rrëmbyen kufomat. Disa u gjetën të groposur në varreza masive në Kizhevak dhe në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. E vërteta e ditës së 5 prillit të vitit 1999, nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive. Nderojmë sot kujtimin e të vrarëve dhe të zhdukurve me dhunë në Rezallë”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Kurti më tej ka thënë se Kosova nuk do të ndalet se kërkuari drejtësi.

“Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë. Nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi”, ka thënë më tej ai.

Back to top button