Kurti emëroi Besnik Pulën këshilltar të jashtëm politik

 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Besnik Pulën këshilltar të jashtëm politik pro-bono për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare. Pra, Pula nuk do të paguhet nga buxheti i shtetit sepse termi “pro bono”, i cili është i shkurtër për pro bono publico, është një term latin që do të thotë “për të mirën publike”, për të nënkuptuar “ofrimin e shërbimeve falas”.
Besnik Pula është Profesor i Asociuar në Departamentin e Shkencave Politike të universitetit Virginia Tech (ShBA), ku është gjithashtu Drejtor i Asociuar i Qendrës për Studime të Bashkimit Evropian, Studimeve Transatlantike dhe të Hapësirës Trans-Evropiane (CEUTTSS), e mbështetur nga programi Erasmus+ i Komisionit Evropian.
Studimet e doktoraturës për sociologji i ka mbaruar në Universitetin e Miçiganit (University of Michigan), kurse ato të masterit në universitetin Georgetown, ndërsa paraprakisht ka qenë i asociuar në role hulumtuese dhe ligjëruese me Universitetin Princeton, New York University dhe Universitetin e Binghamtonit.
Puna e tij hulumtuese është mbështetur dhe shpërblyer nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës (ShBA), Shoqata Sociologjike Amerikane (ASA), programi Fulbright-Hays i Departamentit të Arsimit (ShBA), American Council for Learned Societies (ACLS) dhe International Research and Exchanges Board (IREX)./21Media
 

Back to top button