Kurti: Ende nuk e kam parë vendimin e Gjykatës Supreme

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot në një tubim me qytetarët në Komunën e Prizrenit ka folur rreth vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka vendosur që ta lë jashtë listës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Unë nuk e kam parë atë vendim. Kur të vjen në Lëvizjen Vetëvendosje do ta shikojmë dhe do të analizojmë se çfarë mund të bëjmë tutje”, ka thënë Kurti, shkruan kallxo.com

Gjykata Supreme ka njoftuar sot se ka pranuar pjesërisht ankesën e ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me heqjen nga lista të pesë kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021,  lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi- Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së”, është bë e ditur në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Tutje në njoftim është theksuar se gjykata ka konstatuar se në lidhje me kandidatët për deputetë, Liburn Aliu dhe Labinotë Demi – Murtezi, PZAP ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3 vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës të theksuar.

“Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, është bërë e ditur tutje në njoftim.

Back to top button