Kurti falënderon Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pak para Forumit të parë Ekonomik Kosovë-Turqi, u mirëprit nga ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat.

Bëhet e ditur se në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ekonomike dhe tregtare dhe u trajtuan mundësitë dhe hapat e mundshëm përpara për thellimin e mëtejmë të tyre dhe rritjen e investimeve të dyanshme. Forumi Ekonomik që po mbahet sot në Stamboll dhe nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët për Themelimin e Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar (JETCO), nesër në Ankara ndërmjet ministrit Bolat dhe ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, janë disa prej hapave konkretë në këtë drejtim.

“Kryeministri Kurti, që ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, Shefi i Stafit, Luan Dalipi, dhe zëvendësministri i Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mentor Arifaj, falënderoi ministrin Bolat dhe shtetin turk për mikpritjen përgjatë gjithë vizitës së tij dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që ka përshkruar etapa të ndryshme, nga çlirimi deri te shpallja e pavarësisë dhe rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.


Kurti për raportet me Turqinë: Kanë rrënjët në respekt e bashkëpunim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, ka çmuar raportin me këtë shet mik, teksa ka shpalosur të arriturat ekonomike të vendit.

Kurti ka theksuar se marrëdhëniet mes dy kombeve kanë rrënjët në respekt të thellë dhe vazhdojnë edhe më tej të krijojnë mundësi të bashkëpunimit.

“Turqia ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, duke treguar marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve. Ky është një testament i angazhimit të Turqisë”, ka thënë Kurti.

Kurti në fjalimin e tij tha se janë dy fusha ku Kosova do që t’i fuqizojë raportet mes dy shteteve që u quajtën të shkëlqyera në nisje të kësaj ngjarjeje.

Sipas tij, ato fusha janë siguria dhe mbrojtja si dhe zhvillimi ekonomik.

Ai ka përmendur rritjen e dyfishtë të investimeve ekonomike, faktin që Kosova ka borxhin publik më të ulët dhe e ka cilësuar vendin të pozicionuar në “zemër të Ballkanit si udhëkryq mes Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut”.

“Ka dhjetëra kompani në Turqi që janë nga Kosova. Duke qenë pjesë e asociacioneve dhe bashkëpunimeve të ndryshme që edhe Kosova ju ofron investitorëve turq”, ka deklaruar ai.

Ministri i Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat, ka theksuar se bashkëpunimi me Kosovën do të vazhdojnë gjatë. Bolat ka thënë se raportet tregtare mes dy vendeve do të rriten, dhe shpreson se do të arrihet në vlerën 1 miliard euro.


Nis Forumi Ekonomik Turqi-Kosovë

Ka nisur Forumi Ekonomik mes shtetit të Turqisë dhe atij të Kosovës.

Vetëm disa minuta më parë u mbajt takimi bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ministrit të Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat.

Ndërkaq kjo ditë, shënon ditën e katërt të vizitës zyrtare të Kurtit me delegacionin kosovar në Turqi.

Po ashtu, Kurti zhvilloi takime me presidentin, Recep Tayyip Erdogan, e edhe me kryediplomatin turk, Hakan Fidan.

Ndër të tjera, ai pati takim të gjatë, edhe me diasporën shqiptare.

Back to top button