Kurti flet pas takimit me presidentin

“Kemi një shancë historike që VV e LDK ta bëjmë Qeverinë së bashku”

Ka përfunduar takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti pas këtij takimi ka deklaruar se nuk është mandatar dhe nuk është dorëzuar asnjë emër për kandidatin për kryeministër

“Sot isha në takim me presidentin e Republikës, me ftesën e këtij të fundit ishte një takim i shkurtër konsultativ, pa efekte juridike. Në këtë takim disa minutash unë dëgjova presidentin i cili shprehu interesimin për formimin e sa më shpejt për formimin e qeverisë, por gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin, por në bazë të kushtetutës ne duhet ta bëjmë këtë shkresë me shkrim”, deklaroi Kurti.

Sipas Kurtit, po të varej nga ai takimi me LDK-në do të mbahej qysh dje, mirëpo ai tregon që edhe sot është në komunikim me ta. Kurti shton se duhet të kenë takime të shpeshta pasi nuk bëhet qeveria pa takime të shpeshta.

“Deri me 26 dhjetor kemi mundur te arsyetohemi, pas kësaj date është dëm që nuk jemi takuar.”, ka deklaruar kryetari i Vetëvendosjes.

“Në këtë vend janë humbur 20 vjet, duam që sa më parë të ecim sa më shpejt. Ne po i bëjmë përpjekjet maksimale.”, shton ai.

Në lidhje me takimin me presidentin, ai deklaroi se takimi ishte i shkurtër pasi ishte konsultativ.

Fituesi i zgjedhjeve të fundit deklaroi se mëqenëse u refuzua oferta e koalicionit nga LDK, ata nuk donin të zvarrisnin konstituimin e Kuvendit. Kurti deklaroi ai do të jetë kryeministër i ardhshëm dhe kjo është kosto për të, e sipas tij më mirë zvarritja e formimit të Qeverisë se e Kuvendit, që do të ishte kosto për popullin.

”Nuk mund të kthehemi as para 26 dhjetorit, as para 6 tetorit. Kemi kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, tash duhet të bëjmë hapa përpara e jo prapa. Oferta që kam bërë në 23 dhjetor u refuzua, tash duhet të takohemi të bisedojmë që tí ndajmë edhe përgjegjësitë.”, deklaroi Kurti.

Në lidhje me ministrat Kurti theksoi se ai nuk ka caktuar asnjë ministër nga LDK, duke lënë vende të zbrazëta për ta, ka shprehur dashamirësinë që të ecim përpara.

Nuk dua të propozoj emrin e ministrit serb, pa i pasur ministrat e LDK-së për 5 ministri dhe zëvendëskryeministrit të parë.”, deklaroi ai.

Kandidati për kryeministër shtoi se kurdo që LDK janë të gatshëm mund të takohen, fakti që nuk janë takuar nuk do të thotë që nuk janë në komunikim, duke theksuar se do të komunikojnë edhe sot për të parë kur do të jetë takimi i radhës.

Në lidhje me çështjen e presidentit Kurti deklaron se më mirë ta diskutojmë kur të vie koha e pasi të kenë qeverisur së bashku me LDK-në.

I pyetur për zgjedhje të reja, ai deklaroi se populli kanë zgjedhur dhe nuk më duken të interesuar të zgjedhin sërish. Megjithatë sipas tij nëse na imponohen zgjedhjet patjetër që marrim pjesë.

Kemi një shancë historike që VV e LDK ta bëjmë Qeverinë së bashku, duke kuptuar që koha nuk është e jona, është e shtetit. Kjo punë do marrë fund shpejt, në momentin kur ne dërgojmë shkresën tek presidenti, atëherë numërojmë 15 ditët e afatit.”, deklaroi Kurti.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni me një parti tjetër, duke thënë se ne e shohim LDK si të vetmin partner të mundshëm për koalicion.

Do të kthehem në kryesinë e LVV në një mbledhje që do ta mbajmë shpejtë, dhe do ta përgatisim shkresën zyrtare për ta dërguar tek presidenti. Jemi në hapat e fundit të arritjes së marrëveshjes, që është domosdoshmëri që na ka besuar sovrani.”, shtoi Kurti.

Në lidhje me vonesat për koalicion, ai deklaroi se nuk është dashur ta presin certifikimin për të filluar bisedimet, por ja që e pritën.

“Më është thënë nga LDK që për 3-4 ditë do ta arrisim marrëveshjen.”, deklaroi Kurti duke arsyetuar se përse ka pritur deri pas certifikimit për të filluar bisedimet./21Media

Back to top button