Kurti: Fqinji ynë verior as nuk kërkon falje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se intervenimi ushtarak i NATO-s në Kosovë ishte i drejtë dhe i domosdoshëm.
Kurti ka theksuar se në fund të viteve ’90 populli shqiptar po përmbyllte një dekadë terrori e diskriminimi nga aparatura e instaluar shtetërore e Serbisë.
Në seancën e veçantë, Kurti ka thënë se 23 vjet pas përfundimit të luftës, fqinji ynë verior as nuk kërkon falje, as nuk do që t’i kuptojë e ti pranoj përmasat e krimeve të veta në Kosovë.
“Në vend se të hapë arkivat shtetërore që do të mund të ndriçonin fatin e të zhdukurve me dhunë dhe të zbulonin ekzekutorët e krimeve, pushtetarët e Serbisë, arsyetojnë veprimet gjenocidale të Millosheviqit dhe e fajësojnë NATO-n për bombardimet. Pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë, së bashku me Rusinë po e keqinterpretojnë edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke aluduar në ngjashmëri të rasteve, si përpjekje për ta justifikuar imperializmin dhe aspiratat e tyre hegjemoniste”, ka thënë Kurti para deputetëve.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se NATO-ja ndërhyri në Kosovë për arsye humanitare, për të shpëtuar një popull nga shfarosja.
“Ishte ndërhyrje e ligjshme për shkak se Milosheviqi nuk shprehte gatishmëri për të përmbushur kërkesat dhe detyrimet që buronin nga rezolutat e miratuara në OKB dhe as nuk hiqte dorë nga operacionet ushtarake dhe nga politika e spastrimit etnik në Kosovë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, Kosova ka ende nevojë për NATO-n, por sot dhe çdo ditë e më shumë Kosova po bëhet secilën herë e më e gatshme dhe e aftë për t’iu bashkuar NATO-s./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?