Zelensky: Ukraina po lufton në kushte të pabarabarta

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky,  ka kërkuar mbështetje ajrore “për të mbrojtur qiellin tonë” nga fillimi i luftës, pasi Ukraina nuk ka pajisje të fuqishme për mbrojtje.

Ai ka thënë se Rusia po përdor armë të shkatërrimit në masë dhe se pasojat ishin të qarta.

“Ne jemi në situatë jo të barabartë për një muaj”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për mbështetje ushtarake pa kufizime, në mënyrë që të ruhet populli dhe qytetet ukrainase, shkruan BBC.

Ai ka thënë se Rusia po përdor të gjithë arsenalin e saj pa kufi – duke synuar qytetet e banuara, spitalet dhe urat.

Deri më tani Ukraina nuk ka marrë asnjë avion të vetëm, ka thënë presidenti. Ai gjithashtu ka thënë se ka bërë thirrje për tanke, “na jepni, na shisni”, por ende nuk ka marrë një përgjigje të qartë për këto nga anëtarët e NATO-s.

“Ukraina nuk dëshiron të zhvillojë luftëra për vite e vite me radhë”, ka thënë ai. “Ne thjesht duam të mbijetojmë, të shpëtojmë njerëzit tanë”.

Por ai ka thënë se nuk po fajëson NATO-n. “Nuk janë raketat e tyre që shkatërrojnë qytete”, shtoi ai. “Aleanca ende mund të ndihmojë në shmangien e vdekjeve të mëtejshme duke i ofruar Ukrainës më shumë municione”, ka thënë Zelensky.

“Është çështje jete a vdekjeje”, ka thënë ai sot në Samitin e NATO-s, përmes video-lidhjes./21Media

Back to top button