Kurti: Fuqizimi i grave në biznes fuqizim i ekonomisë në përgjithësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Javën e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit, Gratë dhe Pronësia Intelektuale: Nxitja e Inovacionit dhe Kreativiteti, organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Kurti në fillim të fjalës së tij tha se gratë na e kanë dëshmuar që janë protagoniste, si ndërmarrëse e si punëtore e sot janë shumë aktive në botën e digjitalizuar e të inovacionit, por edhe në bujqësi, në shërbime, në gastronomi, rrobaqepësi e prodhim.

Duke përmendur shembuj nga e kaluara, ku gratë kanë siguruar mundësi e kanë shpikur forma të burimeve financiare, kryeministri Kurti tha se janë të panumërta gratë që insistojnë në biznes e zhvillim të projekteve, andaj ne detyrohemi dhe obligohemi t’i përkrahim ato që janë në fillim të nismave të tyre.

Ai gjithashtu tha se gratë kanë pasur më shumë sfida gjatë përvojave jetësore e të karrierës, prandaj si qeveri jemi të vëmendshëm për këto dallime që në fëmijëri dhe jemi duke ndërhyrë kudo që është e mundshme si, përmes edukimit në fëmijërinë e hershme, e ndarjen e bursave vetëm për vajzat studente në ato lëmi që kanë qenë të populluara kryesisht prej djemve studentë.

Qeverisja jonë ka ndërmarrë disa veprime që ndërhyjnë dhe ndikojnë ekonominë drejt barazisë dhe zhvillimit dhe qëllimi ynë si Qeveri është të mos e lëmë askënd në gjendje të pasigurisë financiare, tha Kurti.

Me masat mbështetëse të Qeverisë, subvencionuam kreditë investuese të mbi 200 bizneseve prodhuese, ku vlera e akreditimit të mundësuar ishte mbi 100 milionë euro. Mbështetëm 268 biznese, 40% prej tyre në pronësi të grave, me vlerë 11.2 milionë euro, për shtim të kapaciteteve prodhuese për eksport e me teknologji të avancuar. Nga projekti “Iniciativa për Fuqizim Digjital” përfituan 62 ndërmarrje, prej tyre 35 në pronësi nga gratë, pra ma shumë se gjysma. Për dy vite, janë punësuar rreth 5 mijë gra dhe është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50% të pagës për 3 muajt e parë nëse punësojnë gra. E, afër 1500 familje kanë të paktën një anëtar të punësuar, prej tyre 603 gra, nëpërmjet masës Qeveria për familje.

Ai tha se duhet eliminuar diskriminimi dhe pengesat e shumëfishta, të cilat krijohen veçanërisht duke u bazuar në gjini, por nganjëherë edhe në origjinën etnike e shoqërore, moshën apo edhe gjendjen social-ekonomike.

“Qëllimi ynë si Qeveri është të mos e lëmë askënd në gjendje të pasigurisë financiare. Vetëm me politikën tonë të re, për shtesat për lehona dhe fëmijë, afër 90 mijë gra për herë të parë kanë hapur llogari bankare. Në Kosovë por edhe në shumicën e vendeve të botës kredi marrin më shumë burrat se sa gratë. Ky krahasim është duke lëvizur çdo ditë dhe duhet të shkojë në një qasje më të barabartë. Arsyet pse gratë kërkojnë kredi janë në të shumtën e rasteve më të arsyeshme e më dobiprurëse se sa ato për të cilat kërkojnë burrat kredi”, shtoi ai.

Back to top button