Kurti: Gjendja në shëndetësi aq e rëndë saqë me të s’mund të merret vetëm Ministria
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjendja e shëndetësisë në Kosovë është aq e rëndë saqë nuk mjafton që vetëm Ministria e Shëndetësisë të merret me të.
“Unë nuk do të jem ministër i Shëndetësisë, ministër është Rifat Latifi, por gjendja në shëndetësi është aq e rëndë saqë nuk do të mund të merret vetëm ministria me të”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Kurti ka thënë po ashtu se ka kërkuar nga secili ministër që në javën e ardhshme t’i sjellë pesë të arriturat kryesore për një vit e gjysmë, pasi më 22 tetor sipas tij, bëhen një vit e gjysmë që kur është zgjedhur Qeveria “Kurti II”.
“Për javën e ardhshme secili prej ministrave t’i sjell katër-pesë të arriturat kryesore për një vit e gjysmë. Sepse me 22 shtator, nesër një javë, në ora 08 të darkës bëhen një vit e gjysmë që qeveria jonë është zgjedhur. Edhe do të më sjellin këto të arritura, por në të njëjtën kohë kam thënë që t’i përmendin edhe katër-pesë të arriturat kryesore që janë të këqijat që i kemi ndalur. Sepse disa të mira vijnë pse janë ndalur disa të këqija, por duhet të ketë edhe të mira të cilat s’janë fare në raport me të keqen. E i kam kërkuar të dyja këto”, ka shtuar ai.
Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën formimin e komisionit ekzekutiv për shëndetësi. Kryeministri, Albin Kurti ka thënë gjatë mbledhjes së Qeverisë se komisionin do ta udhëheq ai, dhe se takimi i parë do të mbahet pasditen e së mërkurës./21Media