Kurti i bën thirrje komunave për angazhim e përkushtim në procesin e regjistrimit të popullsisë

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri Kurti Albin Kurti iu bëri thirrje komunave për bashkëpunim sa më të mirë me Agjencinë e Statistikave të Kosovës për realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë.

“Regjistrimi i popullsisë do të fillojë në fillim të muajit prill, pra një muaj e gjysmë nga sot. Ky regjistrim do të rezultojë me të dhëna të shumta që do të mundësojnë vendimmarrësve dhe shfrytëzuesve tjerë duke filluar nga qeveria, shoqëria civile, bizneset, donatorët e investitorët të zhvillojnë strategji, programe e produkte dhe ofrojnë shërbime që i plotësojnë nevojat e qytetarëve. Politikbërja e bazuar në të dhëna është e rëndësishme si për nivelin qendror ashtu edhe për atë lokal të qeverisjes, sepse mundëson planifikim të mirë, shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të burimeve për arsim, shëndetësi dhe punësim…Në mënyrë që regjistrimi të realizojë në tërësi objektivat për gjenerimin e të dhënave të plota dhe të sakta nevojitet një bashkëpunim dhe bashkëveprim i ngushtë ndërmjet Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe komunave të Republikës. Andaj shfrytëzoj rastin që edhe në këtë takim të bëjë thirrje për përkushtim dhe angazhim të përbashkët të të gjithëve në përfundimin me sukses të këtij procesi me rëndësi qenësore për zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë”, tha Kurti.

Përveç kësaj, si çështje urgjente për të diskutuar, Kurti vlerësoi problemin e vazhdueshëm me qentë endacak, derisa potencoi se kjo situatë është shqetësuese për të gjitha komunat.

Kurti tha se strategjia për zgjidhjen e këtij shqetësimi përfshinë disa hapa ndër institucional, siç është ndërtimi i strehimoreve dhe zhvillimin e shërbimeve lokale të menaxhimit të qenëve.

Ai tha se është propozuar që të ndërtohen katër strehimore për qentë endacak, në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit dhe Kamenicës.

Lidhur me këtë, Kurti iu bëri thirrje kryetarëve të komunave për bashkëpunim me grupin punues për arritjen e objektivave të synuara nga të cilët përfitues janë të gjithë sipas tij.

“Është çështja e qenëve të braktisur dhe endacak. Ky është një shqetësim që e ka çdo komunë dhe për të cilën qeveria e ka krijuar grupin koordinues të udhëhequr Ministria e Administrimi të Pushtetit Lokal. Strategjia e dalë nga ai grup parasheh disa hapa ndër institucional ndër to, ndërtimin e strehimoreve dhe zhvillimin e shërbimeve lokale të menaxhimit të qenëve. Për momentin Grupi punues propozon ndërtimin e katër strehimoreve në katër komuna. Në Prishtinë, në Prizren, në Pejë dhe Gjilan e Kamenicë…Iu bëjë thirrje që të bashkëpunoni sa më ngushtë më këtë Grup koordinues në arritjen e objektivave të synuara nga të cilët përfitues janë të gjithë”, potencoi Kurti.

Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se me një bashkëpunim më efikas dhe projekte konkrete me shumën e buxhetit të ndarë, mund të ndikojmë drejtpërdrejt sipas tij në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Krasniqi u bëri thirrje komunave që të raportojnë në sistemin për përformancën e vitit 2023, ngase është obligim ligjor dhe se në të kundërtën do të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj komunave që nuk raportojnë.

Po ashtu, Krasniqi u bëri thirrje komunave për aplikim në programin për financimin e projekteve infrastrukturore që është i hapur deri me datën 28 shkurt.

“Me datë 9 shkurt mbajtëm ceremoninë e grandit të përformancës komunale ku nënshkruam marrëveshje në vlerë prej 8.3 milionë euro me 11 komunat përfituese. Me 15 shkurt është hapur thirrja që komunat të raportojnë në sistemin për përformancën e vitit 2023. I ftoj komunat të raportojnë pasi që raportimi është obligim ligjor pavarësisht nëse ajo komunë kualifikohet për grantin e përformancës ose jo. Për këto dy vite paraprake janë këto komunat që nuk kanë raportuar në sistemin e përformancës komunale. Në vitin 2021 Skenderaj, ndërsa në vitin 2022 është njëra ndër komunat përfituese me mbi 1 milion euro. Në vitin 2022, Ferizaj, Shtërpca, Novobërda, Kllokoti dhe katër komunat e veriut të vendit…Jam duke diskutuar me anëtarët e komisionit përkatës që të bëhet plotësim ndryshimi i ligjit dhe të parashihen masat penalizuese për komunat të cilat nuk raportojnë në sistem. Po ashtu i bëjë thirrje komunave për aplikim në programin për financimin e projekteve infrastrukturore që është i hapur deri me datën 28 shkurt”, tha Krasniqi.

Pas fjalimit të Kurtit dhe Krasniqit, takimi me kryetarët e komunave po vazhdon i mbyllur dhe pa praninë e mediave. Të pranishëm në takim ishin edhe ministri i Financave, Punës dhë Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci. Ndërkaq, pritet që të ketë deklarata për media pas diskutimeve


Kurti thotë se për tri vjet sa udhëheq Qeverinë, buxheti për komunat është rritur

Gjatë takimit me kryetarët e komunave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se se për tre vjet sa udhëheq Qeverinë, buxheti për komunat është rritur për 195 milionë euro.

“Gati gjysmën e buxhetit të disponueshëm, Qeveria ua ndan komunave”, u shpreh Kurti

Ai po ashtu tha se po ndërtohen katër strehimore për qentë endacakë- në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjilan.

Derisa, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se buxheti për vitin 2024 për komunat është mbi 740 milionë euro.


Fillon takimi i Kurtit dhe ministri Krasniqi me kryetarët e komunave

Ka filluar takimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi me kryetarët e komunave.


Kurti dhe ministri Krasniqi takojnë sot kryetarët e komunave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi sot do të mbajnë takim me kryetarët e komunave.

Takimi do të mbahet në orën 09:00 në Hotel “Internacional Prishtina” në Prishtinë.

Back to top button