Kurti i bënë “ofertë” opozitës për zgjedhje, opozita kërkon dorëheqjen e tij

Kryeministri, Albin Kurti, i ka propozuar opozitës që së bashku me LVV-në t’i sigurojnë votat e nevojshme për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai tha se kjo është oferta e tij për opozitën. Në anën tjetër opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kurti, për shkak të, siç thuhet, dështimeve të tij në qeverisje.

Pikërisht në tre vjetorin e Qeverisjes së tij kryeministri Albin Kurti paraqiti një ofertë për opozitën për ta çuan vendin në zgjedhje të parakohshme.

Sipas Kurtit, partia e tij Vetëvendosje do t’i ndihmojë opozitës për t’i siguruar votat e nevojshme.

“Kjo është ofertë e imja. Unë them që shkojmë në zgjedhje kur opozita dëshiron. Ne i ndihmojmë opozitës nëse duan të shkojmë në zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati”, tha Kurti.

Opozita e cila ka kohë që po kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme, këtë ofertë të Kurtit e ka parë si dorëzim të tij përpara dështimeve.

PDK-ja thotë se është e gatshme që të ofrojë nënshkrimet për zgjedhje të parakohshme. Deputeti i këtij subjekti politik, Hisen Berisha, tha se Kurti po dëshiron që përmes zgjedhjeve të krijojë kauza të reja.

“E ka shumicën në parlament dhe sa here të donë i ka ato 2\3 e votave për ta shkarkuar veten. Ky tani nëse po vrapon për shkarkimin e vetveten, nuk po guxon me u përballë me pranimin e Asociaciacionit”, tha Berisha për rtv21.

Edhe në LDK kanë shprehur gatishmëri për zgjedhje të reja. Por, ky subjekt politik e quan viktimizim propozimin kryeministrit drejtuar opozitës për të siguruar votat për shkarkimin e Qeverisë. Deputetja Rrezarta Krasniqi, tha se po kërkojnë dorëheqjen e Kurtit.

“Kryeministri duhet të jap dorëheqje pa pasur nevojë për ndonjë mocion. Kryeministri Kurti po e luan viktimën, por kësaj here duhet të dal para qytetarëve me tregu se nuk ka bërë asgjë për vendin sepse ka fitu 51%”, tha Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja.

Edhe në AAK kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Kurti. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se AAK-ja e ka mocionin.

“Kurti duhet me u dorëhiqet ose me ardhë me votu mocionin e AAK-së për shkarkimin e tij”.

Kërkesës së opozitës për dorëheqje iu përgjigj kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës u votua më 22 mars 2021 në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim. Kryeministri Albin Kurti ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri./RTV21/21Media

Back to top button