Kurti i gatshëm për konsultimet me partitë, “Duhet të ndajmë gjërat që nuk janë të njëjta”

Në seancën plenare pati përsëri diskutim për projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin, Konfiskimin dhe Pasurinë e pajustifikueshme.
Para votimit të këtij projektligji, opozita kërkoi që të tërhiqet projektligji dhe të rishikohet.
“Derisa të ketë konkluzion për nismën tuaj lidhur me procesin e vetingut mos të votohet as ky projektligj”, tha Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Ne patëm diskutim 2 orësh me shefat e Grupeve Parlamentare për të diskutuar për raportin e Venecias, që e kundërshton dhe jep rekomandime në mënyrën se si duhet të shkohet në veting. Ne u dakorduam që pronësinë mbi vëtingun ta merr Kuvendi i Kosovës, që nëse duhet të ketë ndryshime kushtetuese të mund të ndodhin at”, tha deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Reagoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se nuk mban mend që ka pasur debat më shumë se për këtë projektligj në Kuvend.
“E kemi diskutuar edhe para opinionit të Venecias dhe pas. Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është të vendoset në votim në parim e pastaj të adresohen çështjet e ngritura”, ka ministrja.
Kjo sipas deputetit Gashi, nënkupton që Qeveria nuk dëshiron bashkëpunim për këtë çështje.
“Veç mos na thirrni në takimi nëse nuk doni me pas konsensus për një çështje që është antikushtetuese”, shtoi ai.
Kurse Tahiri i AAK-së tha se prapë po hyhet në proces ku po bëhet një ndarje jo me fajin e opozitës, shkruan rtv21.tv
“Jeni duke e shty një ligj që është antikushtetues. Kërkojmë të tërhiqet të diskutojmë ta fusim në një pako dhe ta shtyjmë procesin e vetingut përpara”, tha Tahiri.
Adnan Rrustemi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se është pozitiv diskursi për konsensus për procesin e vetingut.
“Së pari të votohet në parim, e pastaj me opozitën i adresojmë rekomandimet me grup punues, pasi është vetëm fillimi i procesit”, tha ai.
Replikoi Tahiri i AAK-së, i cili theksoi se “këtu nuk ka të bëjë me konstruktivitetin tonë, por me dakordimin që e kemi pasur se si me ndërtua një proces për procesin e vetringut. U dakorduam dje për disa hapa që një ditë prapa po bien ndesh me atë që diskutuam”.
Edhe deputeti Abelard Tahiri i PDK-së, tha se janë pajtuar në parim që çështja e reformës në drejtësi të mos kufizohet vetëm në veting, por edhe me atë të byros së konfiskimit.
“Mendoj që ajo që është e rëndësishme sot është konsensusi politik. Konsensusi në reformën në drejtësi e shoh jashtëzakonisht të rendësishëm dhe mendoj që këtu edhe Qeveria duhet të reflektojë”, tha Tahiri.
Në fjalën e tij para deputetëve, kryeministri Albin Kurti falënderoi PDK-në dhe AAK-në për takimet që kanë pasur. Ai tha se është i gatshëm të vazhdojë konsultimet me partitë politike.
“LDK-ja ka thënë të takohemi në Kuvend e jo si subjekte politike. Jam i gatshëm të vazhdojë konsultimet me partitë politike sepse bëhet fjalë për një proces që tejkalon. Mandatin tonë, dhe është e domosdoshmë të kemi konsultime me subjekte politike. Duhet të ndajmë gjërat që nuk janë të njëjta, byroja për verifikimin…. Dhe procesi i vetigut nuk janë e njëjta gjë, nuk duhet futur në një thes sepse nuk janë e njëjta gjë. Këto të dyja janë dy gjëra të ndryshme, nuk jane bashkë dhe nuk janë të njëjta. Njëra ka të bëjë me të gjithë zyrtarët shtetërorë e tjetra vetëm për sistemin e drejtësisë”. tha Kurti./21Media

Back to top button