Kurti i informoi përfaqësuesit e ENEMO-s për situatën e përgjithshme në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti sot priti në takim përfaqësuesit e misionit vëzhgues të Rrjetit Evropian të Organizatave Monitorues të zgjedhjeve (ENEMO) në Kosovë, Pierre Peytier dhe Elene Nizharazde, të cilët i njoftoi me situatën e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Kosovë.
Kurti, siç informoi Zyra e Kryeministrit, theksoi përpjekjet për tejkalimin e vështirësive të krijuara nga pandemia Covid-19 dhe situatën e sigurisë në lidhje me bllokimin e rrugëve në drejtim të pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
“Me theks të veçantë u diskutuan zhvillimet, ecuria e fushatës dhe pritjet për zhvillimet e mëtejme në lidhje me fushatën për zgjedhjet lokale më 17 tetor 2021. Kryeministri Kurti siguroi përfaqësuesit e këtij misioni për bashkëpunim të plotë të gjitha institucioneve shtetërore, duke kërkuar transparencë të plotë.”, u bë e ditur në komunikatë.
Ndërsa, vëzhguesit e njoftuan Kryeministrin me misionin e tyre, përpjekjet për vëzhgimin sa më real dhe objektiv të fushatës, synimin për përcjelljen e mediave, sidomos atyre elektronike përmes analizave nga specialistët e marrëdhënieve midis mediave dhe zgjedhjeve.
“Përveç paraqitjeve publike mediale menjëherë pas zgjedhjeve, ky mision do të përgatisë edhe një raport përfundimtar me rekomandime në muajin shkurt 2022, i cili do t’iu dorëzohet të gjitha institucioneve kompetente dhe do të bëhet publik.”, njoftoi tutje Zyra e Kryeministrit./21Media

Back to top button