Kurti i përgjigjet Thaçit për akuzat në rastin “Syri i Popullit”

Kurti i bindur se presidenti Thaçi “po shkon”

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka komentuar deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilat i bëri gjatë seancës gjyqësore në rastin “Syri i Popullit”. Kurti ka thënë se nuk merret me shpifjet e presidenti që sipas tij po ikën më shpejt se ç’është menduar.

Thaçi dje ka thënë se organizata “Syri i Popullit”, është orkestrim i Albin Kurtit, Glauk Konjufcës dhe Sabri Ramabajës.

Kurti ka reaguar sot në “Facebook” duke thënë se edhe më parë e akuzonin.

“Më 31 mars 2018, mua dhe Glaukun na akuzonte për lidhje me Rusinë dhe Iranin. Ndërsa, më 9 korrik, vetë presidenti Thaçi shkoi e takoi Medvedevin, kurse më 12 nëntor 2018 u takua me Putinin. Tash shpif për lidhje tjera të paqena”, ka shkruar ai.

I pari i VV-së tha se viti 2019 do të jetë viti i ndryshimeve për vendin, përderisa tha se presidenti është në panik.

“Qëndrimet dhe veprimet tona janë publike, të drejta dhe të qarta. Me shpifjet e këtij presidenti që po ikën më shpejt se ç’është menduar nuk merrem. Viti 2019 do të jetë viti i ndryshimeve për Kosovën. Sepse nuk shkëmbehet Kosova me Serbinë. Sepse nuk zëvendësohet Gjermania me Rusinë. I ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ta ruajnë qetësinë. Presidenti Thaçi është në panik. Shqetësimi i tij iracional nuk ka të bëjë me shtetin tonë të pavarur por me pazarin e tij me Serbinë. Ai po dështon. Ai po shkon”, ka shkruar ai./21Media

Back to top button