Kurti i quajti “ndryshk”, Mustafa: Paniku i thellë e detyron ta ulë nivelin e gjuhës

(Lajm i përditësuar)
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i ka reaguar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili i cilësoi këta të fundit si “ndryshk”.
Deputeti Mustafa tregon se Albin Kurti është në panik të humbjes andaj ka vendosur që të thumboj subjektet tjera politike e sidomos Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht edhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti do të bënte mirë t’i njoftonte qytetarët e Kosovës nëse ka punuar diçka për katër vitet e fundit dhe të shpaloste një program për katër vitet e ardhshme. Në pamundësi për të treguar diçka që ka punuar, sepse nuk ka punuar asgjë as ai as qeveria e tij për katër vite e njëkohësisht nuk po kanë çfarë të tregojnë as për katër vite të ardhshme sepse janë të njoftuar me dëshpërim të thellë nga qytetarët e Kosovës, kanë vendosur të ulin nivelin e gjuhës duke thumbuar partitë e veçanërisht Lidhjen Demokratike të Kosovës”, deklaroi ai.
“Kosova nuk mundet të duroj edhe katër vite tjera”, tha Mustafa. Ai qeverinë Kurti po e cilëson si katër vite përqasje dhe premtime të thyera. Sipas Besian Mustafës, qytetarët e Kosovës po iu bashkëngjiten LDK-së çdo ditë e më shumë.
Pos këtyre deklaratave, Mustafa reagoi edhe për refuzimin e tubimit në Komunën e Gjilanit, gjë që është pamundësuar nga ana e pushtetit lokal. Ai tha se LDK ka marr përgjigje me vonesë.
Kurse në anën tjetër deklaroi se Vetëvendosja ia ka miratuar vetës një tubim të tillë.
“Dega jonë atje në Gjilan ka qenë subjekti politik i parë që ka bërë kërkesën qysh më 30 dhjetor, kërkesë për të mbajtur një tubim elektoral në atë sallë. Fatkeqësisht organet e nivelit komunal nuk janë përgjigjur fare deri në momentin e fundit, sepse në fund të fundit ne do mund të ndryshonim edhe datën e tubimit. Pushteti lokal ka vendosur që të mos reagoj deri në momentin e fundit duke na pamundësuar organizimin e këtij tubimi kurse në anën tjetër kjo tregon edhe dëshpërimin dhe panikun e thellë të cilin po e përjeton partia në pushtet e cila është në pushtet edhe në komunën e Gjilanit, e kanë parë që qytetarët e Gjilanit janë të dëshpëruar me ta”, tha Mustafa.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një tubimi në Ferizaj tha se “PDK dhe LDK nuk janë ndryshimi por janë ndryshku”.
LDK: Kosova s’mund të përballojë edhe katër vjet të qeverisjes së VV-së
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, gjatë një konference për media, deklaroi se Kosova ka nevojë për një drejtim të ri dhe të vendosur pas, sipas tij, dështimeve të qeverisjes aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
“Kosova nuk mund të përballojë edhe katër vjet të qeverisjes së VV-së. Nën udhëheqjen e Lumirit, LDK-ja ofron vizionin e guximshëm dhe veprimin vendimtar që i duhen dëshpërimisht vendit tonë për të krijuar vende pune, për të mbajtur rininë tonë këtu dhe për të rikthyer dinjitetin tonë në skenën globale”, tha Mustafa.
Ai shtoi se pas katër vitesh përçarje, premtimeve të thyera dhe ngecjes ekonomike, qeveria aktuale ka dështuar të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve.
Sipas tij, LDK-ja është gati të ofrojë stabilitet, llogaridhënie dhe progres, elemente që, sipas tij, populli i Kosovës i meriton.
“Pas katër vitesh përçarje, premtimesh të thyera dhe ngecje ekonomike, është e qartë se qeveria e VV-së e ka dështuar Kosovën. LDK është e gatshme të ofrojë stabilitet, llogaridhënie dhe progres që populli ynë meriton. Çdo ditë e më shumë qytetarë po i bashkohen LDK-së sepse shohin shpresë, zgjidhje dhe alternativë reale për të ardhmen e Kosovës.Së bashku, po ndërtojmë lidhjen e përbashkimit që do ta çojë Kosovën drejt një të nesërme më të ndritshme”, u shpreh zëdhënësi i LDK-së.