Kurti i reagon gjyqësorit: Po del shumë efikas për vetveten

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vendimin e Gjyatës për pezullimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
Para gazetarëve Kurti tha se nuk merren me vendimet e gjyqësorit, por i duhet të konstatojë se kur vije puna për vetveten gjyqësori del të jetë shumë efikas dhe i shpejtë për dallim prej lëndëve të panumërta që po presin në sirtarët e Pallatit të Drejtësisë.
Këto komente shefi i ekzekutivit i bëri pas vizitës në Hendikos në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
“Ne nuk mund të merremi me vendimet të cilat i bënë gjyqësori, por më duhet të konstatoj me keqardhje që kur vije puna për vetvete po dalin të jenë shumë efikas, për dallim prej lëndëve të panumërta që janë pluhurosur në sirtarët e pallatit të drejtësisë, që lëngojnë aty e nuk trajtohen as me kohë e as siç duhet. Pra, është për të ardhur keq që shpejtësinë dhe efikasitetin po dëshmojë atëherë kur kanë interes vetë, interes të ngushtë“, theksoi Kurti.
Shefi i qeverisë, Albin Kurti i pyetur se a do ta tërheqë vendimin për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët theksoi se kur njerëzit mësohen me privilegje heqja e tyre u duket padrejtësi.
Por, siç u shpreh ai kjo nuk është padrejtësi, por se privilegjet kanë qenë të padrejta.
“Pagat në sektorin publik në përgjithësi do të rregullohet me këto dy ligje të reja të cilët tashmë kanë shkuar në Kuvend për lexim të parë është ligji mbi Pagat dhe Zyrtarët Publik andaj është e domosdoshme që të gjithë të përqendrohemi tek këto dy ligje të reja e të mos kërkoj askush zgjidhje të privilegjuar. Bindja ime e fuqishme nga ajo çfarë po ndodh këto ditë me grevën e gjyqtarëve dhe prokurorëve është se kur njerëzit mësohen me privilegje heqja e tyre u duket padrejtësi, por kjo nuk do të thotë se është padrejtësi, do të thotë se privilegjet kanë qenë të padrejta”, u shpreh Kurti.

Back to top button