Kurti: I takon BE-së ta publikojë draft-statutin e Asociacionit

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është ai i cili duhet ta publikojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë, sipas tij, duhet të bëjë ndërmjetësi evropian.
Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
“Tash i përket ndërmjetësit [BE-së], i përket ndërmjetësit evropian që ta bëjë publik draftin dhe kjo është arsyeja pse unë nuk i bëj dot publike vërejtjet dhe kritikat e mia. Besoni që ka akterë të ndryshëm që mezi presin unë të bëjë shkelje të procesit dhe procedurave dhe kjo do ta dëmtonte përfaqësimin e Republikës së Kosovës. Sa për mua le ta publikojnë edhe draft-statutin, e kësisoj të hapet edhe rruga për të publikuar edhe ne vërejtjet e kritikat tona”, tha Kurti para gazetarëve të premten në Prishtinë.
Kurti përsëriti se më 26 tetor, në takimin në Bruksel me liderët evropianë, ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar “paketën, jo njërin prej teksteve” që sipas tij nënkupton së pari Marrëveshje Bazike, Aneksi i zbatimit dhe pastaj draft-statuti.
Ndërkaq, në fillim të këtij viti arritën Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Aneksin për zbatimin e tij.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Sipas Kurtit, duke refuzuar nënshkrimin, Serbia nuk dëshiron asociacion për serbët e Kosovës, por “kundër Kosovës”.
“U lëshua një shans unik e i jashtëzakonshëm që të vuloset normalizimi. Me këtë rast më lejoni të theksoj që nesër Serbia do të ishte e interesuar për normalizim, përveç që nuk do ta shkelte Marrëveshjen Bazike të 27 shkurtit, njëkohësisht ajo do të bënte hapa të përparimit sa i përket kapitullit 35 të negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian”, tha Kurti.
Dy muaj nga sulmi në Banjskë: Ka hetime të mjaftueshme që t’i vendosën sanksione Serbisë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se koha prej dy muajsh prej kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit është e mjaftueshme që të ketë hetim të hollësishëm dhe t’i vendosën sanksione Serbisë.
Kurti tha se ‘nuk mund ta durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit, për këtë arsye duhet të veprojmë tash e jo nesër’.
“Është e domosdoshme që dy muaj pas sulmit në Bansjkë të Zveçanit ku u vra rreshteri është kohë më së e mjaftueshme qe të kemi hetim të hollësishëm dhe konkluzione për këtë akt që cenoi sonvranitetin dhe sigurinë tonë kombëtare. Nuk mund ta durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit për këtë arsye duhet të veprojmë tash e jo nesër”, tha Kurti.
Ndërsa shtoi se më mes të dhjetorit bëhen 8 vjet prej Serbia nuk ka bërë përparim nën kapitullin 35 që dëshmon dëshirën për normalizim.