Kurti ia kujton ministres blege: Kosova në pritje që të marrë statusin e vendit kandidat të BE-së

Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj në kuadër të dialogut me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ai gjatë një takimi me ministren e Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib ka theksuar se nënshkrimi i marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj është garanti i respektimit dhe zbatimit të tyre drejt një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurti ka informuar Lahbib për angazhimin dhe qasjen konstruktive që Kosova ka pasur përgjatë procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për qëndrimin e Kosovës në takimin e fundit në Bruksel në të njëjtën ditë kur po zhvillohej edhe Samiti i Këshillit Evropian.

Në takim u fol edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe për raportet e Kosovës dhe Serbisë në dritën e sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit sot dy muaj më parë dhe takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel.

Kurti ka përsëritur se Kosova ka dorëzuar aplikimin e saj për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është në pritje që të marrë statusin e vendit kandidat.

Në takim u diskutua edhe mbi procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, përkatësisht të rrugëtimit të Kosovës në atë drejtim.

Po ashtu u diskutua edhe rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë, mbrojtjes e kulturës, krahas atij politik.

Ministrja e Jashtme e Belgjikës, Hadja Lahbib, gjatë ditës ka pasur takime edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryediplomaten kosovare Donika Gërvalla.

Back to top button