Kurti: Radoiçiqi po bën plane për sulme të tjera në Kosovë, po paguan nga 2.000 euro pjesëtarë terroristë

(Lajm i përditësuar)


Kurti kritikon Prokurorinë e Shtetit që s’ngriti aktakuza për sulmin në Banjskë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar Prokurorinë që sipas tij, përkundër fakteve të siguruara nga institucionet e sigurisë, nuk ngriti asnjë aktakuzë për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Ai ka thënë se mos ngritja e asnjë aktakuze dhe as informimi mbi këtë çështje, është e pakuptueshme.

“Ka pa numër fakte, dëshmi, pra të mjaftueshme për të ngritur aktakuza, Ky vit ishte vit i sulmeve kriminale, ka shpërputhje midis informacionit, fakteve dhe aktakuzave në anën tjetër. Dhe, ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria, i takon Prokurorisë, unë jam për të ndihmuar, dhe ata për të punuar”, theksoi Kurti.


Kurti: Jemi të përgatitur që çfarëdo sulmi ta zmbrapsim suksesshëm

Kurti duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se çfarë po ndërmerr shteti pas këtyre paralajmërimeve për sulme të reja tha se patrullimi i përbashkët me KFOR-in duket se i ka zmbraps planet.

“Kufiri me Serbinë është më i gjati 381 km, është më i gjatë sesa kufiri marr së bashku Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë… Ajo çfarë po bëjmë ne dhe që duket se i kanë zmbrapsur planet për sulm është patrullimi i përbashkët me KFOR-in dhe kjo tashmë po ndodh… policët tanë së bashku NATO po patrullojnë përgjatë kufirit”, tha ai.

Kreu i Qeverisë së Kosovës lavdëroi punën e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.

“Në anën tjetër kemi një inteligjencë shumë të suksesshme të Kosovës. Është e paparë puna e AKI-së, në kuptimin e dyfishtë të fjalës edhe për shkak se është paparë se është çështje sekrete dhe për shkak se kësi rezultatesh janë të papara në historinë e kësaj agjencie për çka i falënderoj… Kur kësaj i shtohet bashkëpunimi me aleatët ne jemi tejet të përgatitur ndaj çfarëdo sulmesh që mund t’i mendoj dikush që t’i zmbrapsim suksesshëm”, tha Kurti.


Kurti: Radoiçiqi po bën plane për sulme të tjera në Kosovë, po paguan nga 2.000 euro pjesëtarë terroristë

Kryeministri, Albin Kurti ka thënë se Milan Radoiçiq po mban takime me shërbimin sekret serb e se po strehon anëtarë të organizatave terroriste për të planifikuar një sulm të ri në Kosovë.

“Pas sulmit terrorist, Radoiçiq u lirua ga gjykata serbe në kohë rekorde, ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiq po mban takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s. në ambientet e firmës në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të “Mbrojtjes Civile” që instruktor e kanë Uglesha Jaridiq”, ka thënë Kurti në një konferencë.

Sipas Kurtit, Radoiçiq mban takime të rregullta me inteligjencën serbe dhe se pjesëtarët e grupit të tij, paguhen 2.000 euro në muaj, ndërkaq bashkëshortet e tyre, që gjenden në Kosovë, po punësohen, në mënyrë, që sipas tij, të mos ketë pakënaqësi.

Ai ka thënë se mjetet që janë përdorur në Banjskë ishte ruajtur në një kompani serbe e cila është në listën e zezë të SHBA-së.

Kurti ka treguar tutje se grupi ka mbajtur trajnime të tjera me mjete të rënda lufte.

“Njëkohësisht një grup prej 80 personash të larguar nga Kosova kanë vazhduar ushtrimin në poligonin Zimovnik në afërsi të Rashkës. Trajnimet drejtohen nga ushtarakë serbë të pensionuar që kanë grada të larta dhe që kanë njohuri për Kosovën pasi mbase kanë shërbyer në ushtri gjatë luftës te ne. Ushtrimet janë duke u kryer për vendosjen e minave antitank në kushte dimërore dhe për snajperistë”, tha ai.

Kurti ka theksuar se në nëntor ishte planifikuar një sulm.

“Gjatë nëntorit 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut, me qëllim marrjen e vilës së Radoiçiqit në brigjet e Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Plani paraprak për sulme hakmarrëse nga PK-së kemi marrë vesh se ka ndryshuar pas intensifikimit të patrullimit të PK-së e KFOR-it rreth kufirit me Serbinë”, tha tutje kryeministri në konferencë.

Sulm, sipas Kurtit, Serbia planifikojë edhe këtë javë, pas zgjedhjeve në Serbi.

“Në poligonin e Serbisë në Peshter, kanë rifilluar ushtrimet e një grupi prej 60 pjesëtarësh të “Mbrojtjes Civile” që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë. Ky grup kishte planifikuar sulm ndaj Policisë sonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative. Për këtë qëllim raportohet të ketë pasur lëvizje nga ushtria e Serbisë që ka stacionuar ushtarët në disa pika, në lokacione ku parashiheshin këto sulme. Pjesëtarët e ikur nga veriu janë grumbulluar edhe në një vend tjetër të quajtur Goç”, tha Kurti.

Back to top button