Sveçla: Veriu është sulmuar 114 herë që nga viti 2021
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka prezantuar një infografikë që tregon afatin kohor të ngjarjeve që ndodhën më 24 shtator të këtij viti në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku një grup terrorist sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku.
Ai ka publikuar edhe foto ku tregohet rruga që është përdorur nga terroristët. Sveçla tha se janë tri konstatime që janë përforcuar çdo herë e më shumë gjatë zhvillimit të hetimeve.
“Deri më tash janë tri konstatime të pakontestueshme rreth këtij sulmi , të cilat çdo herë e më shumë janë përforcuar gjatë zhvillimit të hetimeve. E para qëllimi i Serbisë e sulmi i grupit terrorist ishte që të aneksohet veriu i vendit tonë. Poashtu grupi terrorist është mbvështetur, përkrahur urdhëruar dhe ka lidhje direkte me struktururat shtetërore të Serbisë. Grupi terrorist është ushtruar dhe përgatitur për sulm në poligonet e rregullta dhe të kontrolluara të ushtrisë së Serbisë dhe është furnizuar me armatim ushtarak nga depot e saj”, tha Sveçla.
Tutje, Ministri tha se sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga viti 2021 deri sot institucionet dhe zyrtarët tanë janë sulmuar 114 herë në veri.
“Si institucione, kemi ofruar fakte të mjaftueshme që konfirmojnë organizimin e Serbisë për të organizuar këtë sulm paramilitari terrorist. Ndërsa, kemi ndarë informacione edhe me partnerët ndërkombëtar. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës nga viti 2021 deri sot institucionet dhe zyrtarët tanë janë sulmuar 114 herë në veriun e vendit tonë”, deklaroi Ministri.