Kurti kërkoi falje që e ngatërroi Besarta Jasharin
“Dëshmori është i përjetshëm e i pavdekshëm, që nuk mund të jetë në shërbim të dikujt që është i vdekshëm e i rëndomtë. Aty ku prodhohet e kultivohet dija, duhet studiuar e mësuar dëshmori. Përjetësia e pavdekësia e dëshmorit nga bronzi që shihet publikisht duhet të ngritet edhe në tekste që lexohen universalisht”, kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Akademinë përkujtimore në shënim të 24- vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Fillimisht, në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti kërkoi falje për përvjedhjen e një gabimi që i ndodhi gjatë seancës solemne të shtunën në Kuvend kur iu referua Besarta Jasharajt, si e bija e kryekomandantit Adem Jashari.
“Mirëpo, shtrohet pyetja, pse nuk e vërejta këtë gabim, teksa e lexoja tekstin. Ka mundësi që kjo është për shkak se shpeshherë më ngjan që të gjithë ne që jemi gjallë, jemi fëmijë të Kryekomandantit Adem Jashari dhe rënies së tij heroike”, u shpreh para të pranishmëve kreu i Qeverisë.
Tutje, teksa vazhdoi fjalimin në Akademinë Përkujtimore në kuadër të Epopesë së UÇK-së, në nderim të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe secilit që sakrifikoi jetën për liri, kryeministri Kurti veçoi se në secilën akademi përkujtimore, radhët e karrigeve janë mbushur me familje dëshmorësh.
“I përshëndes thellësisht që të gjithë e secilin. Por, shqetësimi im është se ne e dimë që dëshmorët nuk u përkasin familjeve, por kombit. Shkenca dhe letërsia jonë politike dhe historike duhet t’i integrojë këta dëshmorë, dhe jo t’ua lërë përkujtimin dhe përkujdesjen për dëshmorët familjeve të tyre”, u shpreh ai.
Kurti njoftoi për këtë nismë duke thënë se në kushtet e paqes, universalitetin e një kombi, detyrën e dëshmorëve në luftë, e merr universiteti dhe institucionet në paqe./21Media